FJALA distancohet nga deklaratat e hoxhës për Hilmi Haradinajn

Partia FJALA ka reaguar ndaj deklaratës së hoxhës së fshatit Fortesë të Rahovecit lidhur me varrosjen e babait të kryeministrit Haradinaj, Hilmi Haradinajt.

Kjo parti ka thënë se distancohet nga deklarata e Bedri Bytyçit.

“Ne cilësojmë se një deklaratë e tillë ka qenë e ngushtme dhe jo e duhur. Deklarata e tillë nuk përkon me frymën e subjektit tonë politik”, thuhet në reagimin e partisë me të cilën u tha që hoxha Bedri Bytyçi është e afërt.

“Ne respektojmë çdo qytetar të Republikës Kosovës, e në veçanti Hilmi Haradinajn i cili ka rritur dhe edukuar dëshmorët Shkelzen e Luan Haradinaj”, thuhet më tej në reagim.

Partia FJALA i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta Kryeministrit Haradinaj, familjes Haradinaj dhe gjithë qytetarëve të Republikës Kosovës.

Ndaj deklaratës së hoxhës së fshatit Fortesë ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili fjalët e përdorura nga hoxha në një postim në profilin e tij në “Facebook” i ka quajtur raciste.

https://kallxo.com/kryetari-i-rahovecit-denon-deklaraten-e-hoxhes-per-hilmi-haradinajn/

Kryeministri Ramush Haradinaj njoftoi në orët e para të ditës së sotme se babai i tij, Hilmiu, ka ndërruar jetë pas një sëmundjeje të rëndë.

https://kallxo.com/ka-vdekur-babai-i-kryeministrit-haradinaj/

Varrimi i babait të kryeministrit do të bëhet nesër në ora 14:00 në Gllogjan.