Foto: FJALA/Facebook

Gjakovë, largohet nga shkolla shenja që tregonte se ndalohet mbulesa e vajzave

Në rrjetet sociale ka qarkulluar një fotografi nga një shkollë në Gjakovë, në të cilën ishin vendosur shenjat për gjërat e ndaluara në shkollë.

Në mesin e gjërave të ndaluara ishin arma, pirja e duhanit, produktet kozmetike, si dhe mbulesa (e vajzave myslimane).

Kjo e fundit ka ngjallur reagime në rrjetet sociale.

Lidhur me rastin KALLXO.com ka kontaktuar drejtoreshën e Arsimit në Komunën e Gjakovës, Eranda Kumnova Baçi.

Ajo ka treguar se rasti ka ndodhur në Shkollën e Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha”.

“Kemi shku e kemi pa objektin dhe kemi pa që është larguar ajo shenjë”, tha drejtoresha e Arsimit.

Kumnova Baçi tha se nuk di arsyet pse është vendosur dhe se ka kërkuar menjëherë nga drejtoresha e shkollës të largohet kjo shenjë.

“Unë besoj që është bërë nga pakujdesia por nesër në mëngjes do të takohemi dhe besoj që drejtoresha do ta japë edhe deklaratën e saj se pse është vendosur ajo shenjë”, ka thënë ajo.