Foto: MFSK

‘Epopeja e UÇK-së’ Ndan Veteranët dhe Qeverinë

Qeveria e Kosovës dhe organizatat e veteranëve të luftës së UÇK-së do ta shënojnë në mënyrën e tyre, të ndarë, tri ditët më të mëdha të përkujtimit të njërës ndër betejat më të njohura të luftës në Kosovë, Epopenë e UÇK-së.

Manifestimi treditor do të fillojë nesër në ditën kur filloi rezistenca e familjes Jashari në Prekaz kundër forcave serbe në vitin 1998.

Mbi 50 anëtarë të familjes së ngushtë dhe të gjerë të komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, u vranë gjatë atyre tri ditëve të luftimeve.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur sot se ka organizuar disa ngjarje për ta shënuar këtë përvjetor kushtuar rënies së Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit.

Në një njoftim të lëshuar nga Ministria e Forcës së Sigurisë së kosovës thuhet se manifestimi qendror i ‘Epopesë…” do të mbahet nesër në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë dhe, sipas kësaj ministrie, pjesë e ngjarjes mes tjerëve do të jenë edhe organizatat e dala nga lufta e UÇK-së.

Por në një komunikatë të lëshuar një ditë më parë, organizatat që përfaqësojnë veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve të UÇK-së, kanë hequr dorë nga pjesëmarrja në organimin e këtyre aktiviteteve.

“Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së, njoftojnë opinionin se nuk janë pjesë e Këshillit Organizues për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilën e organizon Qeveria e Republikës së Kosovës, për shkak të papërgjegjësisë dhe vonesave rreth organizimit”, thuhet në komunikatë.

Duke mos qenë pjesë e organizimit zyrtar, këto organizata kanë thënë se, si çdo herë, do të bëjnë organizimet në nderim të Epopesë së UÇK-së, në Prekaz dhe nëpër Komunat e Kosovës, duke përfshirë homazhet më 6 mars dhe pjesëmarrjen në Natën e Zjarreve, më 7 mars në Prekaz, manifestim që shënon edhe përmbylljen e ditëve përkujtimore.

MFSK thotë se kuadratet e njësive të FSK-së do të jenë të rreshtuara gjatë gjithë Manifestimit ndërsa në aktivitetin qendror pritet që të flasin Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, komandanti i FSK-së, gjeneral Rrahman Rama, si dhe një përfaqësues i familjes Jashari.

Por zëdhënësi i MFSK-së, Ibrahim Shala, tha për KALLXo.com se nuk do të ketë parakalim të kuadrateve të FSK-së gjatë manifestimit.