Enver Hoxhaj, Zëvendës Kryeministër i Kosovës. Foto: Kallxo.com

Enver Hoxhaj: LDK ka filluar t’i ngjasojë Vetëvendosjes

 

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka kritikuar qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për mospërfshirjen e tyre në procesin e dialogut me Serbinë.

Hoxhaj ka shkruar në Facebook se asnjëherë nuk është vonë për LDK-në që ta japë kontributin e saj për ta përmbyllur shtetndërtimin e Kosovës.

“Është momenti i fundit për LDK-në që të këndellet nga gjumi i thellë në të cilin ka rënë dhe të mos i përsërisë gabimet e së kaluarës, duke qenë në bisht të proceseve politike dhe historike”, ka thënë ai.

‘Dua të besoj se brenda kësaj partie ka vullnet, dije dhe guxim për të vepruar në interes të vendit’, ka theksuar zëvendëskryeministri.

“Por duket që problemi është diku tjetër – nuk ka një mendim të prerë dhe të vendosur për asgjë. E mbi të gjitha kjo parti herë synon të thirret në trashëgiminë e saj rugoviane e herë të sillet si ekstreme duke i ngjarë VV-së”, përfundon Hoxhaj.