Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hoxhaj e quan "histeri mashtruese të Qeverisë Kurti" mundësinë e njohjes nga Ukraina

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se njohja e Kosovës nga Ukraina është shpikje politike e brendshme dhe nuk ka të bëjë me realitetin e jashtëm.

Sipas tij, realiteti është që Ukraina synon afrim me Serbinë dhe rregullim raportesh me të në kontekst të agresionit rus, duke keqpërdorur Kosovën.

“Kjo, u dëshmua më së miri nga vizita e Kryeministrit Kurti në Greqi, i cili ishte i vetmi nga rajoni që nuk pati takim bilateral me Zelenskyn! E këtu, tregohet politika e vërtetë e Ukrainës ndaj Kosovës dhe tregon fundin e histerisë mashtruese të Qeverisë Kurti rreth njohjes nga Ukraina”-  ka shkruar ai.

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se në vitin 2014 sanksionet e para ndaj Rusisë nga Ballkani i ka vendosur Kosova.

Por, sipas tij, kjo përkrahje nuk është përkthyer në ndryshim qëndrimi të Ukrainës ndaj Kosovës.

“Që nga aneksimi i Krimesë në vitin 2014 e deri sot kur po ndodh agresioni rus në Ukrainë, Kosova ka mbajtur qëndrim parimor dhe është rreshtuar me aleatët e saj në përkrahje të Ukrainës. Në vitin 2014 kur isha Ministër i Jashtëm sanksionet e para ndaj Rusisë nga Ballkani i vendosëm ne. Por, kjo përkrahje nuk është përkthyer në ndryshim qëndrimi të Ukrainës ndaj Kosovës. Këtë ia kam thënë atë kohë disa herë edhe homologut tim ukrainas Pavlo Klimkin dhe të tjerëve pas tij”- ka thënë ai.