Enver Hoxhaj, FOTO: KALLXO.com

Hoxhaj thotë se e ka parë propozimin e Ramës për Asociacionin

Enver Hoxhaj, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja, deklaroi sot se e mirëpret  propozimin e kryeministrit Edi Rama, mbi një draft të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Hoxhaj që dikur ishte ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, tha se këtë dokument e ka parë, por për të cilin refuzoi të japë komente.

Duke shpresuar se ky dokument do ta arrijë në Kuvendin e Kosovës për diskutim të mëtutjeshëm, Hoxhaj u shpreh se pret nga kryeministri  Kurti që t’i pranojë kërkesat e ndërkombëtarëve.

“E çmoj kontributin e shteti shqiptar dhe, iniciativa e kryeministrit Rama duhet ta ketë mbështetje në Kosovë”, tha ai.

Hoxhaj u shpreh se PDK-ja është  jashtëzakonisht e shqetësuar mbi situatën në vend.

“Asociacion nuk është një shpikje e kryeministrit Rama është një obligim nga viti 2013 për të cilin unë km qenë edhe në atë kohë që të krijohet”, tha ai.

“Nëse do të krijohej në 2013, në 2023 nuk do t’i ishin këto probleme që i kemi sot”.

Hoxhaj shprehu frikën për mënyrën se si Kurti është duke menaxhuar situatën në veri të vendit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se i ka dorëzuar presidentit të Francës, Emanuel Macron dhe kancelarit të Gjermanisë, Ola Scholz një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Rama në një konferencë të jashtëzakonshme për media lidhur me tensionet në veri, deklaroi se beson që çdo ditë e më shumë se krijimi i Asociacionit është çelësi për të hapur përfundimisht derën e afirmimit ndërkombëtar të Kosovës.

“Besoj çdo ditë e më shumë se krijimi i Asociacionit është çelësi për të hapur përfundimisht derën e afirmimit ndërkombëtar të Kosovës, e njohjes saj nga të gjithë, e uljes saj në Kombet e Bashkuara dhe forume ndërkombëtare dhe e njohjes saj të ndërsjellë me Serbinë”- ka deklaruar Rama./ RTK