Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Enver Hoxhaj: Organizimi i zgjedhjeve nga OSBE në veri, kthim prapa për Kosovën

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe deputet i PDK-së, Enver Hoxhaj ka deklaruar se kërkesa që zgjedhjet të përsëriten në veri dhe të organizohen nga OSBE-ja, paraqet një kthim prapa për vendin.

Hoxhaj thekson se zgjedhjet në te kaluarën janë organizuar ekskluzivisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Në dekadën e kaluar, organizimi i zgjedhjeve në veri të Kosovës është kryer ekskluzivisht nga KQZ-ja e Kosovës. Kërkesa që zgjedhjet të përsëriten në veri dhe të organizohen nga OSBE-ja, paraqet një kthim prapa për Kosovën”- ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

Serbët lokal në komunat veriore Zveçan, ZubinPotok dhe Leposaviq janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale.

Të hënën e 29 majit, situata kishte eskaluar në Zveçan, pas përplasjes së protestuesve serbë me disa pjesëtarë të KFOR-it. Si rezultat i saj, mbetën të lënduar 30 paqeruajtës.

SHBA-të dhe BE vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës. Madje SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi Defender 23 si pasojë për ‘mosdëgjimin’ që e ka bërë Qeveria e Kosovës.

SHBA po kërkojnë nga qeveria që kryetarët e ti të mos ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale dhe policia e Kosovës të largohet nga ato ndërtesa. Mirëpo kryeministri Albin Kurti po insiston që kryetarët duhet të ushtrojnë detyrat nga zyrat e tyre, sepse sipas tij ‘Kosovës nuk i duhet sistem paralel’.

Presidentja Osmani ka takuar presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz si dhe ka mbajtur një takim ‘joformal’ me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Nga këto takime është propozuar ideja që në katër komunat veriore, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut të përsëriten zgjedhjet edhe njëherë.

Zgjedhjet e parakohshme në veri së fundmi i përmendi edhe kryeministri, Albin Kurti, pas telefonatave nga zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan.

Dy diplomatët perëndimorë, Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Escobar, pritet të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, javën e ardhshme. Një ndër qëllimet e vizitës është shtensionimi i situatës në veri të Kosovës.

Përderisa sot, Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të BE-së, Borrell u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë “dhe pa kushte të marrin masa për të shtensionuar situatën, të ndalojnë përdorimin e retorikës përçarëse dhe të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pakoordinuar”.

“Zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje” – thuhet në reagimin etij.

Ai ka shprehur shqetësimin edhe mbi ngritjen e gatishmërisë së ushtrisë serbe.

Borrell ka theksuar se BE është e gatshme të zbatojë masa të rrepta nëse Kosova dhe Serbia nuk arrijnë të shtensionojnë menjëherë situatën.