Konferenca për ekonominë digjitale | Foto: MZhE
Ekonomia Digjitale e Ardhmja e Kosovës
Konferenca ka për qëllim diskutimin mbi zhvillimin e infrastrukturës së internetit në vend dhe identifikimin e rregulloreve dhe veprimeve prioritare që duhet të ndërmerren për të avancuar kushtet e kyçjes në internet brezgjerë në zona rurale, shkolla, ambulanca dhe institucione tjera publike në vise rurale.
Kreshnik Gashi, kryesues i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), tha se marrja e kodit telefonik dhe domainit shtetëror do të rrisë ekonominë e vendit.
“Mungesa e Kodit Telefonik vendit po i sjell humbje të mëdha, mirëpo me marrjen e këtij kodi dhe me marrjen e domainit shtetëror, ekonomia e vendit do të ketë zhvillime pozitive. Duhet të theksojmë se rritja në sektorin e telefonisë mobile është vërtet e kënaqshme dhe mjaft pozitive,” tha Gashi.
Marrëveshja për kodin telefonik të Kosovës u nënshkrua më 25 gusht 2015 gjatë dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, ndërsa atëherë Austria u përcaktua si shteti që do të aplikojë për Kosovën për këtë kod, pasi Kosova nuk është anëtare e Organizatës Ndërkombëtare për Telekomunikacion (ITU).
Por zbatimi i kësaj marrëveshjeje po zvarritet.
Ndërsa, Agim Kukaj, drejtor i Departamentit të Teknologjisë Informative në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, tha se tashmë Kosova e ka Ligjin për Komunikime Elektronike dhe Agjendën Digjitale për Periudhën 2013-2020.
Programi KODE është masë prioritare për periudhën 2016-2018 e përcaktuar në Programin për Reformë Ekonomike të Qeverisë së Kosovës, me qëllim që t’ia mundësojë vendit tonë realizimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës përmes shfrytëzimit më të madh të infrastrukturës së internetit brezgjerë dhe zhvillimin e bizneseve digjitale dhe shkathtësive digjitale që do të jenë konkurruese globalisht.
Banka Botërore është duke e përkrahur Qeverinë e Kosovës në definimin e këtij programi.
Nga të dhënat e ARKEP-it, të hyrat e sektorit të telefonisë mobile për vitin 2015 kanë qenë 173.8 milionë euro, ndërsa një vit më herët këto të hyra kanë qenë 192.2 milionë euro.
Kurse për vitin 2015 në këtë sektor janë investuar 40.7 milionë euro, derisa në vitin 2014 janë investuar 52.3 milionë euro.
Në Kosovë aktualisht janë 779,665 përdorues të internetit mobil, apo 44 për qind nga të gjithë përdoruesit e telefonisë mobile.