Vazhdon raportimi i KPM-së para Komisionit për Media

Në mbledhjen e Komisionit parlamentar për Media po vazhdon raportimi i Komisionit të Pavarur për Media lidhur me vendimmarrjen e kësaj të fundit për rikthimin e kanaleve sportive të “Arena”.

Në mesin e deputetëve prezentë dhe anëtarëve të KPM-së në këtë mbledhje është i pranishëm kryetari i bordit të ARKEP-it Nazim Rahimi.

Rahimi tha se gjatë vitit 2023 kanë punuar fort për të ndryshuar Rregulloren e re, përmes të cilës konsumatorët e shërbimeve kabllore mund të ndërpresin njëanshëm kontratën, nëse operatorët kabllorë dështojnë të ofrojnë shërbimet, sipas kontratës së nënshkruar.

Për këtë rregullore, Rahimi tha se janë ndihmuar edhe nga ekspertë të BE-së.

“Në shtator të vitit 2023 e kemi finalizuar rregulloren, dhe çështja e pakove të kombinuara, kemi paraparë një nen – 16, të cilin e kemi diskutuar në detaje me KPM-në. Deri më tani nuk kemi pasë departament të veçantë për konsumatorët. Në nëntor 2023 kemi formuar një departament për ankesat e konsumatorëve”- tha ai.

Raportimi i KPM-së para Komisionit parlamentar për Media, i cili kishte filluar më 09.02.2024 kishte vazhduar më pas më 16.02.2024 ndërsa edhe sot po mbahet mbledhje prap.

Raportimi ka të bëjë me vendimmarrjen e KPM-së mbi shfuqizimin e vendimit të saj me të cilin kishte pezulluar kanalet sportive të “Arena” pasi këto të fundit kishin transmetuar mesazhe mbështetëse për terroristët e vrarë në Banjskë më 24.09.2023.

Mbledhja e datës 09.02.2024 ishte përcjellë me shumë polemika mes deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe atyre opozitarë drejtuar anëtarëve të KPM-së lidhur me këtë vendimmarrje të këtyre të fundit.