Gjykata, ilustrim Foto: Pixabay

Nuk i dërgoi operatorët kabllorë në gjykatë, MINT arsyetohet me vjetërsimin e lëndëve të mëhershme

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka thënë se nuk i ka dërguar në gjykatë rastet e shkeljes së të drejtave të konsumatorëve nga operatorët kabllorë në fillim të vitit 2024 për shkak se në vitin 2021 kishte dërguar raste të ngjashme, të cilat më pas ishin vjetërsuar nga gjykata.

“Inicimi i lëndëve në gjykatë gjatë vitit 2021 ka përfunduar pa asnjë rezultat, meqenëse ato lëndë janë parashkruar nga Gjykata Themelore, prandaj edhe në këtë rast mosveprimi i drejtpërdrejtë i Inspektoratit, por thjeshtë procedimi i lëndëve në gjykatë do të ishte në dëm të interesave të konsumatorëve, të cilët do të vazhdonin të ballafaqoheshin me problemet e njëjta” – thuhet në përgjigjen e MINT për KALLXO.com kur është pyetur se pse nuk i ka dërguar shkeljet e evidentuara tek operatorët kabllorë në gjykatë.

Inspektorati i Tregut, qysh në vitin 2021, kishte konstatuar se kontratat e dy operatorëve kabllorë, “IPKO” dhe “Artmotion”, ishin në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve, sepse të njëjtat ia pamundësonin qytetarëve t’i shkëpusnin ato pa dëme financiare.

Për të dy operatorët kabllorë, Inspektorati i Tregut në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kishte dërguar kërkesa për të iniciuar procedura të kundërvajtjes në Gjykatën Themelore të Prishtinës, mirëpo rasti nuk është gjykuar asnjëherë. Rastet e iniciuara kundër operatorëve “IPKO” dhe “Artmotion” janë vjetërsuar.

“Lëndët e bashkangjitura janë lëndët e proceduara në gjykatë në vitin 2021 ndaj dy operatorëve ekonomikë. Vlen të theksohet se në këto dy raste, por edhe ndaj dy operatorëve tjerë nga Gjykata Themelore është bërë parashkrim absolut i lëndëve, meqë përgjatë dy viteve ata nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim në trajtimin e tyre” – thuhet në përgjigjen e MINT.

Kërkesa e Inspektoratit të Tregut për fillim të procedurës për kundërvajtje ndaj kompanisë “IPKO” është dërguar në Gjykatën Themelore të Prishtinës më 23.09.2021. Kurse kërkesa për fillim të procedurës ndaj kompanisë “Artmotion” ishte dorëzuar më 06.10.2021 dhe e njëjta ishte parashkruar 768 ditë pasi e njëjta u regjistrua si e pranuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Por, këto lëndë përfunduan të parashkruara me vendim të gjyqtares Elheme Jashari. Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe Gjykata Themelore e Prishtinës, duke numëruar arsyet e vjetërsimit.

“Deri te parashkrimi relativ dhe absolut ka ardhë, për shkak të numrit shumë të madh të lëndëve në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni për Kundërvajtje, lëvizjeve të gjyqtarëve brenda departamenteve si dhe numrit të vogël të gjyqtarëve në Divizionin e Kundërvajtjes” – thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Lidhur me shkeljet e evidentuara nga inspektorët e tregut dhe dërgimin e lëndëve në gjykatë, KALLXO.com ka dërguar pyetje te dy operatorët ekonomikë, “IPKO“ dhe “Artmotion”.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të operatorit “IPKO” dhe “Artmotion” më 13.02.2024. Në përgjigjen e “IPKO-s” të dërguar në të njëjtën ditë te KALLXO.com thuhet se “ju njoftojmë që kemi pranuar kërkesën tuaj dhe e kemi drejtuar në departamentin përkatës që të kontrollohet. Në momentin që kemi përgjigje do të informoheni në kohë”. Por, deri në publikimin e artikullit KALLXO.com nuk ka pranuar përgjigje nga kompania “IPKO”. KALLXO.com nuk ka pranuar përgjigje edhe nga “Artmotion” deri në publikimin e këtij artikulli.

Çështja e kontratave që kablloret nënshkruajnë me qytetarët është kthyer në temë të diskutimit edhe në vitin 2024, kur kishte ndryshim të listave të kanaleve tek disa kabllorë, pas shkëputjes së kontratës me “DigitAlb”. 340 qytetarë ishin ankuar në KPM se nga fillimi i muajit janar 2024 është ndalur transmetimi i kanaleve të “DigitAlb”, në të cilat përfshihen edhe kanalet sportive që e transmetojnë Premier Ligën angleze. Sipas operatorëve, kjo kishte ndodhur për shkak se kishte përfunduar marrëveshja mes palëve.

Për shkak të shkeljeve të rregullave të KPM-së, operatorët “IPKO” dhe “Artmotion” ishin dy nga katër operatorët kabllorë që janë gjobitur më 19.01.2024 (minuta 21:59) nga Komisioni i Pavarur për Media. KPM e kishte gjobitur me 64 mijë euro operatorin “Artmotion”, me 7 mijë euro operatorin “IPKO”, me 26 mijë euro operatorin kabllor “Kujtesa” dhe me 3 mijë euro operatorin “Telkos”.

Më 05.02.2024, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) kishte njoftuar se pas shqyrtimit të qindra ankesave të konsumatorëve që i ka pranuar Departamenti i Mbrojtjes së Konsumatorit lidhur me shërbimet e rrjetit kabllor ka nxjerrë vendim me të cilin ka obliguar operatorët kabllorë që të largojnë kushtet e padrejta në kontratë, duke iu lejuar konsumatorëve të drejtën për shkëputje të kontratës nëse operatori nuk ka arritur të përmbushë obligimet sipas kontratës.

Më shumë detaje në lidhje me vjetërsimin e rasteve ndaj operatorëve “Artmotion” dhe “IPKO” mund të lexoni KËTU.