Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

ARKEP miraton Rregulloren e re: Konsumatorët mund të ndërprejnë kontratën kur operatori nuk ofron shërbimet

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ka miratuar Rregulloren e re, përmes të cilës konsumatorët e shërbimeve kabllore mund të ndërpresin njëanshëm kontratën, nëse operatorët kabllorë dështojnë të ofrojnë shërbimet, sipas kontratës së nënshkruar.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë ARKEP përmes një komunikate për media, duke theksuar se rregullorja ka për qëllim kryesor fuqizimin e mëtutjeshëm të të drejtave të konsumatorëve.

Në njoftim thuhet se, të gjitha kontratat e vazhduara në mënyrë automatike mund të shkëputen njëanshëm, pa ndonjë arsye, nga konsumatorët në çdo kohë me një periudhë njoftimi të paktën pesë ditë, para datës së përfundimit të periudhës së faturuar dhe pa ndonjë kosto shtesë.

“Ndërkaq, për të gjitha rastet tjera si, ndryshimi i njëanshëm i kushteve kontraktuale, funksionimi i dobët i shërbimit, apo shkeljeve tjera të kushteve kontraktuale nga ofruesi i shërbimit, konsumatori ka të drejtën e shkëputjes së parakohshme të kontratës” – thuhet në komunikatë.

Po ashtu, ARKEP ka sqaruar se periudha e vendosur kur ofruesi i shërbimit mund të kërkojë kompensim për shkëputjen e parakohshme të kontratës, gjatë 9 muajve të parë kur kontrata është lidhur për 12 muaj, përkatësisht 12 muajt e parë kur kontrata është lidhur për 24 muaj, vlen vetëm për rastet kur janë përmbushur të gjitha kushtet e kontratës nga ofruesi i shërbimit.

Tutje, bëhet e ditur se rregullorja e re përcakton termat dhe kushtet, të cilat duhet t’i përmbajë kontrata për ofrimin e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimieve elektronike.

Në veçanti, rregullat e reja të miratuara nga ARKEP fokusohen në:

-Vendosjen e obligimeve shtesë për operatorët sa i përket rritjes së transparencës dhe informimit të konsumatorëve lidhur me të drejtat e tyre;

-Vendosjen e kërkesave specifike sa i përket kualitetit të shërbimeve të komunikimeve elektronike, me fokus në shërbimet e qasjes në internet dhe kualitetin e shërbimit të thirrjeve me zë;

-Ofrimin e mundësisë për konsumatorët për ndërprerjen e kontratës, për rastin e pakove të kombinuara, atëherë kur ka ndryshim për cilindo element të pakos. Në rast të ndryshimeve në kushtet e kontratës për qasje në shërbimet mediale audio vizuale, konstatimet do t’i jap autoriteti kompetent – Komisioni i Pavarur për Media (KPM);

-Përcaktimin e procedurës për paraqitjen e ankesave, zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe mënyrës së kompensimit.

Njoftimin e plotë dhe Rregulloren e re të ARKEP mund ta gjeni KËTU.

Në fillim të këtij viti shumë qytetarë janë ankuar në Komisionin e Pavarur të Mediave, ndaj disa operatorëve kabllorë të cilët kishin ndaluar transmetimin e kanaleve të platformës “Digitalb” pa paralajmërim.

Qytetarët kishin raportuar se edhe pse kanë bërë abonime vjetore në disa operatorë kabllorë ku kanë qenë të përfshira edhe kanalet sportive që e transmetojnë Premier Ligën angleze, tanimë atyre u është ndalur transmetimi.

KPM: Shkëputja e kontratave me operatorët nuk parashihet në rregulloret tona, përgjegjësia është e ARKEP