Ekipi i Mjekësisë Ligjore niset drejt vendit të gjetjes së trupit të policit në Lepenc

Ekipi i Institutit të Mjekësisë Ligjore është nisur në drejtim vendit ku është gjetur trupi i pajetë i policit Armend Trena.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi drejtori i IMJ-së, Arsim Gërxhaliu.

Gërxhaliu tha se pas marrjes së informacionit nga Policia janë nisur drejt vendit ku është gjetur trupi i pajetë i policit të dytë, i cili bashkë me kolegun e tij, Malsor Dashi, ishin zhdukur mbrëmjen e 28 prillit pasi me veturën zyrtare kishin rënë në ujërat e lumit Lepenc.

“Po shkojmë ta marrim trupin dhe sipas procedurave më pas do të bëhet autopsia”, tha Arsim Gërxhaliu për KALLXO.com.

KALLXO.com raportoi më herët për gjetjen e trupit të policit Armend Trena, ndërsa trupi i policit tjetër, Malsor Dashi, është gjetur para pesë ditësh.

Po ashtu, KALLXO.com publikoi pamje nga vendi i ngjarjes, në hyrje të Hanit të Elezit.