“Ne jemi zëri i kufomave”: Ekspertët e Mjekësisë Ligjore në Kosovë

Ekspertët e mjekësisë ligjore që kanë punuar në gërmimet e varrezave masive të civilëve të vrarë në luftën e Kosovës thonë se ndjejnë mllefin, dhimbjen, përgjegjësinë dhe barrën psikologjike për të zbuluar të vërtetën e gjetjes së të zhdukurve.

Mjeku ligjor, Arsim Gërxhaliu kujton një ditë me erë në prill të vitit 2002 kur ai dhe një ekip mjekëve ligjorë të misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK-ut), iu bashkuan kolegëve serbë në Batajnicë, një paralagje e Beogradit, për t’i zhvarrosur trupat e civilëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës së vitit 1999.  Zhvarrimi i parë aty kishte nisur një vit më herët.

Trupat e shqiptarëve ishin sjellë në qendrën e trajnimit të policisë së Serbisë për t’u varrosur në mëyrë të fshehtë, në një përpjekje për t’i zhdukur vrasjet masive të ushtrisë dhe policisë serbe gjatë sulmeve 78 ditëshe ajrore të NATO-s ndaj Jugosllavisë, që detyruan Slobodan Milosheviqin t’i tërheqë trupat nga Kosova.

“Trupat në varrezë ishin hedhur pamëshirshëm dhe në nguti. Kur preka së pari mbetjet u rrëqetha, më dukej sikur secili po ma tregon historinë e vdekjes. Ishte surreale,” thotë ai për BIRN.

Ai dhe ekspertët tjerë të mjekësisë ligjore nga Kosova thonë se puna e tyre i bën të ndjejnë presion dhe përgjegjësi të madhe ndaj atyre që ishin vrarë, por gjithashtu i vendos para një barre të rëndë psikologjike për t’i gjetur viktimat.

Para se të shkojë në Batajnicë, Gërxhaliu kishte ekzaminuar  disa nga trupat e të vrarëve në masakrën e Izbicës, një fshat në komunën e Skendërajt, ku kishte zbuluar se një nga viktimat ishte varrosur i gjallë

“Kam menduar se nuk do të ketë moment më shokues. Por Batajnica ishte ndryshe”, thotë ai.

Pasi kishin filluar sulmet ajrore të NATO-s në mars 1999, ushtria jugosllave dhe forcat policore e paramilitare serbe filluan vrasjet masive në Kosovë. Për t’i larguar dëshmitë e krimeve të luftës, kamionë të ngarkuar me trupa, disa nga të cilët kishin qenë fillimisht  të varrosur në Kosovë, u dërguan për t’u rivarrosur në lokacione sekrete në Serbi.

“Kur mora eshtrat e një fëmije 7 vjeç, bashkë me to edhe thesin me rroba. Xhupit të fëmijës i ra mënga sepse ishte kalbur. Derisa u përkula ta marr mëngën mu duk që dëgjova një zë që tha: “Ku ishit deri tash?”, kujton Gërxhaliu.

“Jam shtangur.  Kam filluar të qaj. Ndjeja mllef, dhimbje. Mbi të gjitha ndjehesha i dobët, i një vendi të varfër, të dobët”, kujton Gërxhaliu. “Pastaj një mjek serb më tha: Më  vjen keq por duhet të vazhdojmë”, thotë ai.

‘Për shumëkënd, lufta nuk ka mbaruar’

Në varrezën masive në Batajnicë ishin gjetur 744 trupa të shqiptarëve të vrarë. Disa nga trupat ishin zbuluar në vitin 1999 kur një peshkatar në fshatin lindor Tekija, zbuloi një kamion frigorifer të zhytur në ujërat e lumit Danub, që kishte dalë në sipërfaqe.

Kamioni nuk kishte targa por vetëm një logo që tregonte që i përkiste ndërmarrjes “Progress Export” nga Prizreni. Brenda tij ishin pjesë të mbetjeve trupore të njerëzve.

“Ata (autorët) kishin harruar të shfrynin gomat dhe kamioni shpejt kishte dalë në sipërfaqe. Kishin nënçmuar fuqinë e lumit dhe atë që kamioni kishte brenda”, thotë Gërxhaliu.

Kreu i Departamentit të Sigurisë Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, Vlastimir Gjorgjeviq më pas kishte dhënë urdhër për t’i fshehur trupat e viktimave, duke i varrosur ato në qendrën e trajnimit në Batajnicë. Gjorgjeviq ishte dënuar me 18 vjet burg nga Tribunali i Hagës për Krime Lufte në ish-Jugosllavi.

Që nga ajo kohë, trupat e më shumë se 946 shqiptarëve të Kosovës janë zhvarrosur në Serbi.

Gërxhaliu tregon se gërmimet në Rudnicë, një fshat afër Rashkës në jug të Serbisë, që filluan në vitin 2006 dhe vazhduan më pas në dhjetë lokacione të ndryshme. Mbetjet e para trupore ishin gjetur në vitin 2013 nën themelet e ndërtesës së një kompanie publike të transportit të ndërtuar mbi varrezë masive në vitin 2002.

“E shihnim mungesën e vullnetit për ta rrënuar ndërtesën nën të cilin ishin trupat. Dukej që dikush e dinte dhe rezistonte”, thotë Gërxhaliu.

Ai tregon se prindërit që kishin humb fëmijët e vetëm ishin bërë barra më e madhe e tij. “Më thoshin më sill diçka, se nuk po mund të durojmë më”.

Në Rudnicë janë gjetur trupat e 54 civilëve shqiptarë të varrosur në varreza masive.

Pak ditë pasi ka përfunduar mandatin si drejtor i Institutit të Kosovës për Mjekësi Ligjore, Gërxhaliu shpreh ton mllefi dhe zhgënjimi përderisa kujtonte atë që ka përjetuar. “Secila ditë ishte një ditë e luftës që nuk ka mbaruar për shumë njerëz”, thotë ai.

‘E dimë sa shumë kanë vuajtur’

Naim Uka i cili drejton Divizionin për Persona të Zhdukur në Institutin e Kosovës për Mjekësi Ligjore shpjegon se zhvarrimi i viktimave të luftës i u vë ekspertëve të mjekësisë ligjore një barrë të rëndë psikologjike dhe të përgjegjësisë.

“Ne jemi zëri i kufomave. Ata flasin përmes nesh. Derisa të përmbyllet rasti dhe dëshmon në gjykatë ti jeton me ngjarjen e atij të vdekuri”, thotë ai për BIRN. “Nëse dikush dënohet ka një lehtësi, por kur kjo nuk ndodhë në qenien tonë mbetet një vrimë e zezë.”

Uka nuk i përmban lotët kur flet për rastet e gjetjes së trupave të fëmijëve në varreza masive.

“Kur nxjerr trupa të rriturish është më lehtë. Por kur merr në duart tua trupin e një fëmije ndjen se je thyer”, thotë ai.

“Është e vështirë me i frenu ndjenjat e mllefit dhe me qenë vetëm profesionist”, shton Uka.

Ai thotë se kur është fjala tek emocionet, ekspertët e mjekësisë ligjore nuk janë më pak të prekshëm se të tjerët në momentin kur përballen me krime monstruoze.

“Kur shohim trupat e tyre të gjymtuar ose vendet ku janë goditur e dimë se sa shumë vuajtje ka pasur dhe janë lutur të vdesin”, thotë ai.

Uka tregon se në ditët kur për shumë orë punon në varreza lidhja emocionale me të vdekurit bëhet më intensive. Thotë se i ka ndodhur të dëgjojë edhe zëra sikur të ishin realë. “Më dukej sikur brenda varreve ata po thërrasin”.

Ai tregon për një atmosferë mosbesimi e armiqësie që ka përcjellë vazhdimisht kërkimet e ekipeve serbe e shqiptare të mjekësisë ligjore.

“Kur bisedonim me policët që kishin shërbyer në Kosovë shpesh e imagjinonim se janë pikërisht ata që kishin kryer atë masakër”, thotë ai.

Informacionet për lokacionet e dyshuara të varrezave masive gjithashtu kanë qenë burim i vazhdueshëm i mosmarrëveshjeve ndërmjet ekipeve të dy vendeve. Nganjëherë, thotë Uka, serbëve u ishin dhënë koordinatat e lokacioneve por gërmimet nuk ishin kryer në vendin e saktë të koordinatave të dhëna – kështu që gërmimet rezultonin pa gjetur gjë.

Banorët lokalë në vendet ku gjendeshin varrezat megjithatë ishin treguar shumë më bashkëpunues. “Njerëzit nuk duan të jetojnë afër një vendi të krimit”, thotë Uka. “Edhe pse ata kanë frikë të flasin”.

Vitin e ardhshëm ekipet planifikohet të fillojnë gërmimet në tri lokacione të reja në regjionin e Novi Pazarit në Serbi. Më shumë se dy dekada pas, Arsim Gërxhaliu thotë se gjetja e trupave të civilëve do të jetë gjithmonë një moment i rishfaqjes së krimeve të kryera nga forcat serbe.

“Trupat e atyre që u vranë nga mizoritë kthehen gjithmonë për t’i  ndjekur nga pas ata, për të na trazuar edhe ne gjithashtu”, thotë Gërxhaliu.