Nga varreza në Kizhevak mund të jenë tërhequr 4 ose 5 trupa

Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur ka mbajtur një konferencë për media, në të cilën ka raportuar mbi procesin e gërmimit në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë.

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu ka treguar se deri më tash në varrezën e Kizhevakut kanë tërhequr 4 apo 5 persona.

““Deri më tani janë tërhequr pjesë kockore dhe të njëjtat janë ekzaminuar në aspektin mjeko-ligjor, janë marrë mostrat për ADN dhe para se t’i qasemi punës në pranverë, do t’i kemi rezultatet e identifikimit dhe do ta dimë se cilit regjion i takojnë. Mund të bëhet fjalë për 4 ose 5 persona që janë tërhequr nga ai lokacion”, tha Gërxhaliu gjatë konferencës për media.

Ndërsa kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Ramë Manaj ka konfirmuar se punimet kanë përfunduar për shkak të kohës së keqe.

“Sot mund të ju njoftojmë se punimet gërmuese në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë janë ndërprerë dje për shkak të rrethanave të motit. Këto punime do të vazhdojnë në pranverë, sapo të krijohen kushtet klimatike”, tha Manaj gjatë konferencës.

Gërxhaliu tregoi se si kanë arritur të gjejnë varrezën në Kizhevak.

“Dje e mbyllim varrezën në Kizhavak. Në atë lokacion është punuar që 5 vite. Meqenëse bëhet fjalë për një minierë ku në vazhdimësi janë hedhur gurë dhe mbeturina ka pasur vështirësi në gjetjen e varrezës. Duke falënderuar imazhet satelitore të ushtrisë amerikane është gjetur edhe koordinata e saktë e varrezës”, tha në mes tjerash Gërxhaliu.

Nga lufta e fundit në Kosovë janë ende rreth 1,600 persona të zhdukur.