Edita Tahiri në objektin e qeverisë në veri | Foto: KALLXO.com

Edita Tahiri në Objektin e Qeverisë në Veri

Ministrja për Dialog Edita Tahiri, inauguroi sot objektin e Qeverisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Zyra e Kryeministrit objekti u përgatit pas punës disamuajshe të bëra nga Ministria për Dialog Ministria e Administratës Publike.

“Unë i bëra një vizitë objektit të qeverisë dhe vlerësoj se kushtet e punës janë përgatitur mjaft mirë nga ana e Ministrisë së Administratës Publike. Në këtë objekt do t’i kenë zyrat 15 ministri dhe agjenci qendrore që kanë fushë veprimtari lokale,” tha Edita Tahiri, sipas komunikatës.

Komunikata sqaron se në këtë objekt do të punojnë 105 zyrtarë, të cilët ministrja Tahiri i ka vizituar derisa po e kryenin punën e tyre të përditshme.

Objekte të tilla të Qeverisë së Kosovës në të ardhmen sipas komunikatës do të ketë edhe në Leposaviq e Zubin-Potok.

“Tashmë jemi duke shtrirë dhe konsoliduar sovranitetin e shtetit edhe në këtë pjesë të vendit dhe po integrojmë pjesëtaret e komunitetit serb në sistemin e Republikës së Kosovës, duke iu falënderuar dialogut të Brukselit dhe marrëveshjeve të arritura me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar BE, SHBA dhe vendeve tjera evropiane,” tha Tahiri në takim me zyrtarët që punojnë në objektin qeveritar, sipas komunikatës.

Vizita e Tahirit në Mitrovicën Veriore ndodhi në ditën kur Lista Serbe tregoi se ka ngrirë aktivitetet e përfaqësuesve të saj në parlament e qeveri, pasi Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq kërkoi kthimin në detyrën e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal të Ljubomir Mariqit.

http://kallxo.com/lista-serbe-ngrijme-pjesemarrjen-ne-institucione/

Kryeministri Mustafa e shkarkoi Mariqin më 16 dhjetor, ndërsa në vend të saj emëroi Mirjana Jevtiqin.

Sot Kryeministri Mustafa kur prezantoi të arriturat e qeverisë gjatë këtij viti, tha se vendimi për shkarkimin e Mariqit është i pakthyeshëm.

http://kallxo.com/mustafa-e-pakuptimte-ngrirja-dhe-shkrirja-e-listes-serbe/

Dje analistët politikë i thanë KALLXO.com se nëse Mustafa kthen Mariqin në pozitën që kishte, duhet urgjentisht të shkarkohet.

http://kallxo.com/mustafa-te-shkarkohet-nese-pranon-kushtet-e-vuciqit/