Zyra e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën Veriore, Foto: KALLXO.com

Sulmi me granata dore në zyrat e KKZ-së, 15 muaj më vonë objekti vazhdon të jetë i demoluar

Me granata dore të prodhimit jugosllav e me mjete të tjera të rrezikshme dyshohet se ishte sulmuar zyra e Komisionit Komunal Zgjedhor në komunën e Mitrovicës Veriore e cila tash e 15 muaj vazhdon të jetë e demoluar e me materiale të ndryshme brenda.

Tashmë në lidhje me sulmin ndaj zyrës së KKZ-së në Mitrovicë Veriore po akuzohen katër persona, Millun Millenkoviq i njohur si Llune, Dejan Pantiq ish-zyrtar policor, Aleksandar Vlajiq dhe Miomir Vakiq.

Katër të lartëpërmendurit janë duke u akuzuar për veprën penale kryerje e veprës terroriste pasi kishin sulmuar me mjete shpërthyese një institucion të Kosovës.

KALLXO.com disa herë brenda periudhës 06.12.2022 e deri më tani, ka vizituar nga afër këtë zyrë e cila vazhdon të jetë në gjendje të njëjtë, me xhama të thyer, orendi të demoluara, kuti votimi brenda e materiale të tjera të cilat shihet se nuk janë tërhequr nga ajo zyrë.

Ndonëse ish-zyra që ishte përdorur nga zyrtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor para 06.12.2022, vazhdon të jetë e mbyllur dhe e paprekur në aspektin e rregullimit, zyra aktuale është zhvendosur në objektin e Komunës së Mitrovicës Veriore.

Kështu të paktën kanë konfirmuar edhe anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Sami Kurteshi për KALLXO.com më 18.03.2024.

“Zyra e KKZ-së për komunën veriore të Mitrovicës është vendosur në ndërtesën e komunës, aty edhe ku duhet të jetë sipas Ligjit për Zgjedhjet” – tha Kurteshi për KALLXO.com.

KALLXO.com mëson se ende nuk është bërë vlerësimi i dëmit që është shkaktuar në ish-zyrën e KKZ që ishte shfrytëzuar në të kaluarën.

Në lidhje me këtë çështje KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Komisionit Qendror Zgjedhor.

KQZ deri në publikim të këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje në lidhje me kërkesat e KALLXO.com.

Si erdhi deri te sulmi ndaj zyrës së KKZ në Mitrovicën veriore?

Në orët e pasdites së 06.12.2022, një ekip e KQZ-së ishte nisur drejtë zyrës së KKZ-së në Mitrovicë të Veriut.

Të njëjtit parashihej që si zyrtarë të lartë të përzgjedhur së bashku me zyrtarë të KQZ-së, Ministrisë së Pushtetit Lokal të vendoseshin nëpër komunat me shumicë serbe të cilat për disa javë kishin funksionuar pa kryetarë të komunave për shkak se të njëjtit kishin dhënë dorëheqje.

Shkuarja e tyre me mbështetje të policisë nëpër këto zyra e konkretisht në KKZ në Mitrovicë së Veriut solli edhe shpërthimet e njëpasnjëshme që u regjistruan në atë zonë.

Në momentin që ishte tentuar zëvendësimi i zyrtarëve të lartë të KQZ-së në atë zyrë kishte nisur edhe alarmi në komunat me shumicë serbe e më pas ishte kryer edhe sulmi me granata dore ndaj të njëjtës zyrë.

Kreshnik Radoniqi, kryetar i Komisionit Qendror Zgjedhor pati thënë në një intervistë të dhënë për KALLXO.com më 31.01.2023, se nuk kishin arritur që të kishin një vlerësim të dëmit që ishte shkaktuar pas sulmit me mjete shpërthyese drejtë zyrës së KKZ-së në Mitrovicë të Veriut.

Tensione në veri të vendit e incidente, sulme në katër vitet e fundit kanë qenë të shpeshta.

Para sulmit ndaj zyrës së KKZ-së në Mitrovicë së Veriut, e gjitha kishte nisur kur fillimisht ishin përcaktuar datat e zgjedhjeve që do mbaheshin në katër komunat me shumicë serbe pas dorëheqjeve që u dhanë atje nga kryetarët e asamblistët në nëntor të vitit 2022.

Dorëheqjet pasuan pas suspendimit të ish-drejtorit të policisë në veri Nenad Gjuriq më 03.11.2022, pasi ky i fundit kishte refuzuar që të vepronte në bazë të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale dhe regjistrimin me targa RKS.

Ky suspendim shkaktoi tensione që pasuan për ditë me radhë.

23 prilli ishte data e cila ishte vendosur nga KQZ për zgjedhjet në veri të Mitrovicës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 25 prill të vitit që lamë pas, shpalli rezultatet për zgjedhjet lokale të 23 prillit që u mbajtën në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Sipas KQZ-së, në garën për kryetarin e ri të komunës të Leposaviqit, fitues u shpall Lulzim Hetimi nga Lëvizja Vetëvendosje me 73.5% të votave të fituara.

Kjo parti fitoi garën edhe në Mitrovicë të Veriut. Kreu i ri i kësaj komune u zgjedh Erden Atiq, që kishte fituar 66.9% të votave.

Dy komuna i fituan kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës. Komunën e Zveçanit e mori Ilir Peci nga kjo parti, me 59% të votave të fituara. Ndërkaq, në Zubin Potok fitues u shpall Izmir Zeqiri me 52.2 % të votave.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e rinj të katër komunave veriore u bojkotuan gjerësisht nga popullata serbe atje.

Sipas të dhënave të KQZ-së, në zgjedhje dolën 1,567 votues apo 3.47% e trupit zgjedhor.

Procesi zgjedhor kaloi pa asnjë incident dhe qytetarët, përveçse në disa shkolla, votuan edhe në 13 kontejnerë të vendosur në lokacione të ndryshëm në veri.

Komuniteti ndërkombëtar ka shprehur keqardhjen për mospjesëmarrjen e partive serbe në këto zgjedhje, pasi vetëm një kandidate e pavarur serbe garoi për kreun e Zveçanit.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dalja e ulët në zgjedhjet e 23 prillit erdhi për shkak se “atmosfera ishte ajo e frikësimit dhe shantazhit” dhe bojkotimi i zgjedhjeve ishte imponuar nga “fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar”.

Katër kryetarë shqiptarë u zgjedhën në krye të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Betimin si kryetar komune, përveç kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, i cili u betua në objektin e komunës, tre kryetarët tjerë, i Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, nuk u betuan në objektet e komunave, por në shkolla dhe zyre të bashkësisë komunale.

Në një komunikatë zyrtare, Policia e Kosovës tha se pesë policë u lënduan, katër vetura u dëmtuan të policisë, njëra prej të cilave u dogj. Ndërsa, sipas forcave të rendit, u dëgjuan edhe të shtëna nga arma e zjarrit.

Në mënyrë krejtësisht të pazakontë, nën përcjellje të policisë e mes tensionesh, kryetarët në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, pasditen e së premtes së 26 majit u futën në zyrat e punës.

Policia me njësite speciale vazhdoi qëndrimin pranë objekteve komunale edhe gjatë ditëve të tjera, të shtunën dhe të dielën. Por, e gjithë situata e tensionuar prodhoi reagime të ashpra edhe disa sanksione për Kosovën.

Më 29.05.2023, në orët e hershme të mëngjesit, qytetarë serbë ishin mbledhur sërish pranë objekteve komunale në tre komunat e veriut të vendit. Ata do të kundërshtonin sërish futjen e kryetarëve shqiptarë në objektet e komunave.

Për javë të tëra, qytetarë të shumtë qëndruan në afërsi të komunave Leposaviq, Zvecan e Zubin Potok për të kundërshtuar kryetarët e rinj. Dy nga kryetarët ata të PDK-së ishin tërhequr nga komunat përveç atij të LVV në Leposaviq, Lulzim Hetemi.

Ai qëndroi me muaj të tërë i ngujuar brenda komunës dhe nuk pranoi të lironte hapësirat e komunës dhe të punoj nga një objekt tjetër.

Që nga 26 maji 2023 kur nisën protestat e serbëve në veri të vendit, rreth 20 sulme ndaj punonjësve të medias u regjistruan.

Më 29 maj 2023, rreth 30 ushtarë të misionit të NATO-s u lënduan, në mesin e tyre italianë dhe hungarezë. Më vonë, tre nga ushtarët u konfirmua se ishin të plagosur nga arma e zjarrit.

Kush janë të akuzuarit për sulmin terrorist ndaj zyrës së KKZ-së?

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzën ndaj katër tashmë të pandehurve për veprën penale kryerje e veprës terroriste.

Sipas njoftimit, në Mitrovicën e Veriut në rrugën “Kollashinska”, me datë 6 dhjetor të vitit 2022, të pandehurit me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, të detyrimit të padrejtë të një organi publik në këtë rast KQZ-së, për të pamundësuar zgjedhjet lokale si dhe me qëllim që të destabilizojnë ose shkatërrojnë strukturat themelore politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës, kanë sulmuar me granata dore dhe dy shok bomba në drejtim të zyrës së KKZ-së.

“Për derisa zyrtarët e KQZ-së, së bashku me zyrtarë policorë kanë shkuar për të hapë zyrën, këta të pandehur me persona të tjerë ende të pa identifikuar kanë kryer sulm terrorist duke hedhur dy granata dore si dhe dy shok bomba në drejtim të zyrës së lartë përmendur me ç’ rast njëra granatë dhe dy shok bombat kanë shpërthyer ku si rezultat i kësaj janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale si dhe është rrezikuar seriozisht jeta e zyrtarëve të KQZ-së, dhe zyrtarëve policorë” – thuhej në njoftimin e prokurorisë.

Nën akuza për sulm terrorist me granata dore dhe shok bomba në drejtim të zyrave të KQZ-së, Millun Millenkoviq i njohur si “Llune”, Aleksandër Vllajiq, Dejan Pantiq e Miomir Vakiq dolën para Gjykatës së Prishtinës më 30.01.2024.

Në deklarimin e tyre, asnjëri nuk e pranoi fajësinë. Në shqyrtimin fillestar prokurori i rastit, Afrim Shefkiu lexoi aktakuzën ka shpjeguar veprimet të cilat i inkriminojnë katër të akuzuarit.

Të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

“Jo, konsideroj që nuk jam fajtor” – deklaroi i akuzuari, Millun Millenkoviq.

“Jo [nuk e pranoj fajësinë për të cilën akuzohem]” – u deklarua i akuzuari, Aleksandër Vllajiq.

“Absolutisht nuk jam fajtor” – deklaroi i akuzuari Dejan Pantiq.

“Jo nuk ndjehem fajtor” – deklaroi i akuzuari Miomir Vakiç.

Pas kësaj gjyqtari i rastit, kishte njoftuar të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, përkatësisht mbrojtësin e “Llunes”-s Avokatin Ljubinko Todoreviq, mbrojtësin e Aleksandër Vlajiq Avokatin Millosh Deleviq, mbrojtësin e Dejan Pantiq Avokatin Ljubomir Pantoviq, mbrojtësin e Miomir Vakiç Avokatin Dejan Vasiq lidhur me ndryshimin e fundit në ligjin penal.

“Me Kodin e Procedurës Penale gjykatës i është dhënë mundësia e gjykimit në mungesë” – tha gjyqtari Valon Kurtaj.

Më tutje i njëjti shpjegoi risitë legjislative të parapara me nenin 303 të Kodit të Procedurës Penale dhe mundësisë që të njëjtit të gjykohen në mungesë nëse nuk i përgjigjen ftesave të gjykatës.