Foto: Komuna e Kaçanikut/Facebook

Edhe një objekt i ri shëndetësor në Kaçanik

Sot është përuruar objekti i ri shëndetësor i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Kaçanik të Vjetër.

Projekti “Ndërtimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Kaçanik të Vjetër” është financuar në tërësi nga buxheti komunal, ndërsa ka kushtuar 81 mijë e 453 euro, kurse mobilimi ka kushtuar afër 7 mijë euro.

“Pacienti në qendër të vëmendjes” është motoja me të cilën kryetari Besim Ilazi është duke vazhduar përmbushjen e prioriteteve shëndetësore në Kaçanik.

Prerjen e shiritit e ka bërë drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Diana Reka, drejtori i QKMF-së Sinan Zeneli dhe ish-drejtori Nejazi Ilazi.

Nënkryetari Ylber Bajra uroi banorët e fshatit Kaçanik të Vjetër për objektin e ri shëndetësor, ndërsa tha se shëndetësia në Kaçanik është prioritet i institucioneve komunale. 

Edhe banorët e kësaj ane u shprehën të kënaqur me investimin në këtë qendër mjekësore.