Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Përplasen kandidatët për kryetar të Kaçanikut për ordinancën private të Besim Ilazit
Kandidatët për kryetar të Kaçanikut kanë hedhur akuza ndaj njëri-tjetrit se kush njihet më shumë.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Jeton Raka, ka thënë se kryetari aktual nuk njihet nga qytetarët për shkak se nuk shihet asnjëherë në qytet.
Tutje Raka ka thënë se kandidati i PDK-së që po pretendon për zgjidhet kryetar i Kaçanikut duhet të deklarojë edhe fitimin në ordinancën e tij private që e ka.
“Ashtu siç je i lirë me buxhetin e Kaçanikut ashtu duhet të jesh edhe me deklarimin e fitimit të ordinancës tënde. Nuk e dimë ashtu a janë dy orë. Nuk lëshon kuponë fiskalë”, është shprehur Raka.
Në anën tjetër Besim Ilazi nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se në ordinancën e tij punon vetëm dy orë në ditë dhe tërë fitimin e ka të deklaruar.
“Nëse është i panjohur kryetari i komunës Besim Ilazi, më shumë i panjohur është Jeton Raka me përjashtim të këtyre ditëve në Kaçanik. Është fitimi i ordinancës që e kam për dy orë në ditë që punoj. Unë nuk kam asnjë dënim nga inspektorati për 22 vite, nga viti 2004 e kam arkën fiskale”, ka thënë Ilazi.
Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Kaçanikut, diskutojnë në #DebatPernime për balotazhin e 14 nëntorit.
Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Kaçanik: Besim Ilazi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Jeton Raka nga Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i PDK-së Besim Ilazi ka marrë 44.7% të votave kurse Jeton Raka nga Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 33.4% të votave.