Performanca e Kaçanikut në siguri publike

Besim Ilazi nga Partia Demokratike e Kosovës është politikani që për dhjetë vite udhëheq me Komunën e Kaçanikut. 

Ilazi kur po kandidonte edhe për një mandat në zgjedhjet e vitit 2021, ishte ballafaquar me kundërkandidatët e tij në “DebatPernime”. Mes tjerash ai, sikurse të tjerët, ishte pyetur për planet në luftën e parandalimit të ekstremizimit dhe radikalizimit. 

Ai thoshte se Kaçaniku ishte etiketuar padrejtësisë me terme për shkak se 22 qytetarë të saj kanë shkuar për të luftuar në luftrat e huaja. Atë kohë, Ilazi deklaroi se “kanë arritur” që nga viti 2015 të mos kenë “asnjë rast të shkuarjes ose të tentim shkuarjes të të rinjëve në vatrat e luftës”.

“Kam thënë dhe po e përsëris, padrejtësisht është etiketuar Kaçaniku me një term siç është quajtur. Duke e ditur se nga Kaçaniku kanë shkuar 22-23 njerëz dhe nuk mund të identifikojmë qytetarët e Kaçanikut me një person. Ajo çka kemi bërë bashkarisht me kryetarin e Bashkësisë Islame, me komandatin e Policisë dhe me mirëkuptimin që e kemi pasur nga qytetarët, kemi arritur që nga viti 2015 të mos kemi asnjë rast të shkuarjes ose të tentim shkuarjes të të rinjëve në vatrat e luftës”, kishte thënë kryetari i Kaçanikut në DebatPernime. 

Shtatë muaj pas, KALLXO.com ka kërkuar raportin nga Komuna e Kaçanikut lidhur me punët që janë bërë deri më tash në këtë drejtim. 

Shefi i Kabinetit të kryetarit Besim Ilazi, Ylber Bajra ka deklaruar se për çështjet e sigurisë në vazhdimësi mbajnë takime të rregullta me përfaqësues nga Bashkësia Islame në Kaçanik. KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të Këshillit të Bashkësisë Islame në Kaçanik por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

“Në vazhdimesi janë mbajtë takime të rregulla edhe me përfaqësues të BIK-ut edhe me institucione të sigurisë. Por gjithashtu ka pasur punëtori të ndryshme që janë mbajtë prej OJQ-ve institucione lokale ..Situata ka ndryshuar për të mirë në nivel vendi, dhe është temë e ndjeshme. Situata e sigurisë është nën kontroll është e qetë, nuk ka pasur vatra të krizes për me na dëshmu një situatë të ngjajshme me të kaluarën”

“Janë mbajtë punëtori të ndryshme me të gjitha institucionet e përfaqësusara në nivel të komunës, i kemi mbajtë disa punëtori, qëllimi nuk ka qenë parandalimi por njohja e situatës dhe komunikimi i drejtpërdrejt”, ka bërë të ditur shefi i kabinetit të kryetart Ilazi, Ylber Bajra. 

Në kohën kur Ilazi po kandidonte edhe për një mandant, në vitin 2021 në “DebatPernime”  tha  se Palestra Sportive nuk ishte finalizuar ende, dhe krahas kësaj, ai ngriti shqetësimin që qytetarët nuk po kanë ku t’i zhvillojnë aktivitetet e tyre. Palestra Sportive është projekt i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Sa i përket asaj që qytetarët nuk kanë ku t’i zhvillojnë aktivitete, unë do ta ngrisë një shqetësim edhe njëherë. Përveç palestrës sportive që nuk është kompetenc e komunës, për shkak se menaxhohet, financohet nga ministria përkatëse dhe nuk kemi mundur ta finalizojmë, sikurse komunat e tjera që e kanë këtë shqetësim, të gjitha të tjerat janë në funksion. Shtëpia e Kulturës, edhe Qendra Rinore që e kemi investu para dy vjetëve, 100 mijë euro, ku kanë hapësirë dhe mundësi të gjithë të rinjtë t’i zhvillojnë aktivitetet e tyre”, ka thënë kryetari Ilazi.  

Por, Ilazi thoshte se po investojnë në qendrat rinore për t’i dhënë hapësirë rinisë për ti zhvilluar aktivitetet e tyre. 

Tashmë, shefi i kabinetit Ylber Bajra thotë se palestra sportive tashmë është funksionalizuar kurse në Shtëpinë e Kulturës janë të vendosura organizata të ndryshme e ndër tjerash edhe Këshilli Veprues Rinor Lokal (KVRL).

Ardijana Tusha nga KVRL në Kaçanik ka deklaruar se kanë përkrahje të vazhdueshme nga Komuna dhe se për vitin 2021 përkrahja nga pushteti lokal ka qenë 1400 euro.

“Komuna na ka dhënë mundësinë me i shfrytëzu zyret në Shtëpinë e Kulturës. Nuk është që kemi pasur ndonjë kërkesë të veçantë për Komunën, pasi siç po e shihni këtu i kemi të gjitha. Por për ndonjë aktivitet për transport apo dicka, komuna na është gjetur”

“Në vitin 2019 na kemi marrë subvencione të vazhdueshëm nga Komuna, kemi apliku dhe kemi qenë përfitues. Shuma ka ndryshu, por më shumë se 2000 euro nuk i kemi pasur asnjëherë subvencion. Subvencionet kur aplikojmë merrem me aktivitete rinore në Kaçanik, duke e ditur që 1500 nuk është shumë e madhe na jemi fokusu në data të rëndësishme si 17 shkurti dita e tokës, 1 qershori, ditën e librit, ta pastrojmë Kosovën, gjatës verës kemi pasur bashkëpunime tani fokusi ësht java e rinisë është 19 shtator, për çdo ditë kena aktivitete, në javën e rinisë në shtator”

“KVRL-ja  aktivitetet i bazon në sektorin e rinisë dhe i planifikon prej muajit shkurt, marrim pjesë bashkë  me Komunën. Për vitin 2021 përkrahja nga komuna ka qenë 1400 euro. Vjet dhe pardjet 2021/2020 nuk kemi mbajtur aktivitete i kemi investu në zyre, nuk kemi pasur  nxemje. Kemi marrë inventar”, thotë Tusha për KALLXO.com