Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidati i LVV: Në Kaçanik nuk ka drejtor shkolle që nuk është politik

Kandidatët të cilët pretendojnë të marrin udhëheqjen e komunës së Kaçanikut në balotazhin e 14 nëntorit kanë hedhur akuza për politizimin e arsimit në këtë komunë përmes përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Jeton Raka ka thënë se përveç drejtorëve të shkollave edhe vet drejtori i arsimit është politik.

“Drejtorët edhe drejtori i arsimit, të gjithë janë politik. Nuk ka drejtor që nuk është politik. Derisa i kemi të gjithë menaxherët e shkollave militantë politik, nuk e di se çfarë cilësie janë. Ne nuk do t’i kemi politikë, në asnjë mënyrë. Tash drejtori i arsimit e ka zgjedhje drejtoreshën e shëndetësisë, drejtoreshë në shkollën Emin Duraku”, ka thënë Raka.

Në anën tjetër, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Besim Ilazi ka mohuar një gjë të tillë ndërsa ka shtuar se për të njëjtin drejtor, edhe Lëvizje Vetëvendosje kishte kërkuar ta emëronin.

“Është i pasinqertë kur po flasim për drejtorin për shkak se edhe këta kanë kërkuar që të jetë pjesë e stafit qysh në vitin 2017. Ka qenë apolitik dhe kam pasur fatin që ai mos me refuzu ofertën time. Në komision është një anëtar i Kuvendit Komunal e një anëtar i Ministrisë që e monitoron përzgjedhjen”, ka deklaruar Ilazi.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Kaçanikut, diskutojnë në #DebatPernime për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Kaçanik: Besim Ilazi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Jeton Raka nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i PDK-së Besim Ilazi ka marrë 44.7% të votave kurse Jeton Raka nga Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 33.4% të votave.