Gjykimi për përdorim të armës - Foto: KALLXO.com
E pranon fajësinë për gjuajtje me armë në vend publik
Në Gjykatën e Gjakovës është mbajtur seanca ku i akuzuar për veprën penale – përdorim i armës është Naim Osmani.
I akuzuari e ka pranuar fajësinë.
Kështu që Gjykata i shqiptoi dënimin me gjobë prej 1.500 euro.
Gjyqtari Gëzim Pozhegu theksoi se i akuzuari ka pasur të drejtë të parashtrojë kundërshtimin e provave dhe të aktakuzës, mirëpo të njëjtën nuk e kishte bërë.
Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Teki Bokshi, tha se arsyeja e mosparashtrimit të kundërshtimeve është se i mbrojturi e tij do ta pranojë fajësinë.
Pasi që i akuzuari njoftohet lidhur me të drejtat e tij, ai deklaroi se e pranon fajësinë.
Prokurori i çështjes Ali Uka lidhur me pranimin e fajësisë deklaroi se i akuzuari i kishte kuptuar pasojat e veprimeve dhe se ky pranim është bërë me konsultimin paraprak me mbrojtësin e tij, prandaj i propozoi Gjykatës që këtë shprehje të lirë të vullnetit ta aprovojë dhe ndaj të njëjtit të shqiptojë dënimin sipas ligjit, duke marrë parasysh rrethanat lehtësuese.
“Marrëveshja në mes meje dhe të akuzuarit dhe meje si mbrojtës, është se i akuzuari kishte vendosur ta pranojë fajësinë, e cila ka mbështetje në provat materiale në shkresat e lëndës, ashtu që i propozoj Gjykatës ta aprovojë si të tillë duke marrë parasysh rrethanat lehtësuese”, tha avokati Teki Bokshi.
Ndërkohë gjyqtari e aprovoi pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Naim Osmani, i cili më pas deklaroi se më parë kishte qenë i dënuar për veprën penale të lëndimit të lehtë trupor.
Nga pretendimet e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, dyshohet se i akuzuari më parë e ka siguruar dhe gjerë më datë 5 Korrik 2016, pa autorizim ka mbajtur armë dhe municion – një revole, ku në muajin korrik të vitit 2016 me veturën e tij në afërsi të lokalit “Index”, ka nxjerrë revolen duke shtënë tri herë në ajër.
Në aktakuzë thuhet se i njëjti menjëherë ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Ndërsa të nesërmen Policia kishte shkuar në shtëpinë e tij duke e sekuestruar armën.
Me këto veprime ngarkohet me veprën penale të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm.