Rrëfimi si përfunduan 130 kg drogë në dyert që eksportoheshin në Zvicër
Naim Osmanit, Ukë Sadriajt dhe Arbër Salihut kanë dëgjuar sot dëshminë e Xhelal Çerkinit i cili ka sqaruar mënyrën se si këta tre persona kishin sjellë në kompaninë e tij dyer të shtëpisë të cilat ishin të mbushura me drogë.
Tre personat akuzohen se tentuan që të dërgonin drogë në Zvicër duke përdorur një linjë të transportit të mallërave. Çerkini për trupin gjykues rrëfeu se më 28 tetor 2017, në kompaninë e tij ne Ferizaj, Policia i kishte konfiskuar dyert-mallin që ka pasur ta transportonte në Zvicër.
“Më kujtohet se atë ditë, në orët e para në depon ku është kompani ka ardhur porosia. Sipas kësaj porosie unë kam pranuar dyer për t’i transportuar në Zvicër, mirëpo, atë ditë kanë ardhur zyrtarët policor ku pas kontrollit të mallit e kanë konfiskuar atë”-tha Çerkini.
Dëshmitari mohoi të kishte dijeni se përse këto dyer u konfiskuan.
Çerkini theksoi se dyert u sollën me anë të një kombi ose kamionete por që kush i kishte sjell nuk kishte dijeni.
Ai shtoi se pas konfiskimit të dyerve askush nuk ka pyetur dhe nuk ka ardhur në kompaninë e tij të pyes nëse malli është dorëzuar.
Në vijim të gjykimit, dëshmitari Çerkini sqaroi faturën e lëshuar nga kompania e tij “Eliot”, për dyert që duhej të transportoheshin.
“Nga fatura e datës 27 tetor 2017, në kompaninë time “Eliot Trans”, janë pranuar 11 dyer dhe një derë me xham. Si dërgues i mallit është personi me emrin Hasan Berisha dhe Fetah Osmanaj nga Gjakova, ndërsa si pranues i mallit është Avni Berisha në të cilën është e shënuar adresa e tij në Zvicër. Këtë faturë e ka nënshkruar dërguesi i mallit dhe pranuesi i mallit-e që është nënshkrimi im”-deklaroi dëshmitari.
Gjykimi më tej ka vijuara me procedurën e provave.
Seancat e radhës u caktuan për më 7 dhe 13 mars 2023, ku do të vazhdojë me marrjen në pyetje të të akuzuarve.
Sipas aktakuzës, Naim Osmanaj, Ukë Sadrijaj dhe Arbër Salihu po akuzohen se pa autorizim kanë ndërmjetësuar në transportimin e substancave apo preparateve të shpallura me ligj si narkotikë, me qëllim të shpërndarjes dhe shitjes ose ofrimit për shitje.
Aktakuza thotë se me datë 24 dhe 28 tetor 2017, në orët e paradites, duke përdorur dy taksi të ndryshëm nga Gjakova, saktësisht nga lapidari i fshatit Dobrosh të komunës së Gjakovës, të dyshuarit kanë dërguar në kompaninë me inicialet “F.C.”në Prizren, dhe në kompaninë me inicialet “E.T.” në Ferizaj gjithsej 22 dyer të drurit.
Në brendinë e tyre kanë paketuar në total 130 kilogramë e 649.32 gramë substancë narkotike të llojit marihuanë me qëllim të eksportimit në Zvicër.
Me këtë të akuzuarit sipas Prokurorisë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve.
Në nëntor të vitit 2017, emisioni Drejtësia në Kosovë në rubrikën Policia kishte transmetuar filmimet ekskluzive nga aksioni i Policisë në aksionin e koduar “Lozana”.
Xhirimet ekskluzive tregojnë se të dyshuarit kanë arritur ta maskojnë marihuanën nëpër dyer.
Aksioni është zhvilluar në Prizren, Ferizaj dhe katër lokacione në Gjakovë.
Në lokacionin e parë Policia në Prizren, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Gjakovë, gjatë punës operative dhe hetimeve të zhvilluara, arrin të identifikojë një depo në rajonin e Prizrenit, në të cilën dyshohej se ka substanca narkotike.
Për këtë ishte njoftuar prokurori dhe nga ai është marrë leje për kontroll, ku gjatë kontrollit në depo në 10 dyer ku dyshohej për fshehje të narkotikëve.
Ndërkaq, në vazhdën e dytë të hetimeve më datë 28 tetor 2017, Policia arrin të identifikojnë një lokacion- depo të dytë në rajonin e Ferizajt dhe gjatë kontrollit në depo gjejnë 11 dyer ku po ashtu dyshohej për fshehje të narkotikëve.
Filmimet tregojnë se në këtë rast në brendi të dyerve nga druri janë gjetur 171 paketime rreth 400 gramë secila, me peshë totale rreth 71 kg e 196.2 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.
Gjatë këtij aksioni Policia ka konfiskuar gjithsej 315 paketime me peshë totale prej 130 kilogramë e 649.3 gramë.
Raportimet e KALLXO.com mund t’i gjeni në këtë LINK.