Gjykimi për plagosjen në "Dardani" | Foto: KALLXO.com

Dy Dëshmitarë në Gjykimin për Plagosjen në ‘Dardani’

Në gjykimin për plagosjen e Granit Prestreshit, dy dëshmitarë thanë se i akuzuari Fatos Rexhepi nuk ndodhej në lokalin ku ndodhi plagosja

Tri vjet më parë në lokalin “Amma” në Lagjen “Dardania”, u zhvillua një përleshje nga të akuzuarit Fatos Rexhepi dhe Jeton Rexhepi, kundrejt viktimës Granit Prestreshi, përleshje kjo e cila rezultoi me plagosjen e këtij të fundit.

Sipas aktakuzës, në natën e 10 janarit të vitit 2014 rreth orës 19:15 minuta të akuzuarit Rexhepi e kishin goditur me mjete të ndryshme të dëmtuarin Prestreshi, e më pas me qëllim që ta vrasë i akuzuari Fatos Rexhepi e kishte qëlluar me armë zjarri në kraharor duke i shkaktuar plagë të rënda trupore.

Në këtë proces gjyqësor Fatos Rexhepi e Jeton Rexhepi akuzohen për vrasje në tentativë të Granit Prestreshit, derisa Fatos Rexhepi ngarkohet edhe për veprën penale mbajtja në pronësi,  kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Në seancën e sotme gjyqësore dëshmitarët e ftuar nga ana e mbrojtjes ishin Vlonjat Behrami dhe Sabri Kodralia.

Këta të fundit pretenduan se gjatë kohës kur ka ndodhur përleshja mes Fatos Rexhepit e Granit Prestreshit, i akuzuari Jeton Rexhepi kishte qenë në fitness dhe kishte vazhduar të qëndronte aty edhe pasi që dëshmitarët ishin larguar në orën 20:00.

Në pyetjen e avokatit mbrojtës Nasuf Hasani, se kush kishte mbetur në sallën e fitnessit mbas orës 20:00, dëshmitari Vlonjat Behrami pohoi të ketë lënë në fitness të akuzuarin Jeton Rexhepi.

“Jetonin, Yllin dhe Kastriotin i kam lënë në fitness”, tha dëshmitari Behrami.

Njëjtë është përgjigjur edhe dëshmitari Kodralia.

“Atë natë kam ushtruar deri në 20:00 dhe Jeton Rexhepin e kemi lënë ende duke ushtruar”, theksoi dëshmitari Kodralia.

Në dëshminë e dhënë në prokurori dhe në polici, i akuzuari Fatos Rexhepi kishte rrëfyer momentin e përleshjes me të dëmtuarin Granit Prestreshi.

Sipas dëshmisë, i akuzuari Fatos Rexhepi kishte shkuar në kafiterinë “Amma” me qëllim që të takohej me një person të quajtur Agron, për të biseduar lidhur me një borxh.

Kur ai kishte arritur në kafiteri dhe kishte tentuar të zbriste në podrum ku duhej të takohej me Agronin, i dëmtuari Prestreshi nuk e kishte lejuar të zbriste, ndonëse Agroni ishte duke e pritur Fatosin.

“Kam dashur të zbres në podrum ku e kishim lënë të takohemi me Agronin. Deri sa kam qenë në kafiteri më ka dalë përpara Granit Prestreshi, m’u drejtua me fjalët ‘ku po shkon’, unë ju drejtova se po shkoj te Agroni dhe Graniti më tha ‘është i zënë’”, dëshmoi Fatos Rexhepi.

Pastaj ai e dha versionin e tij për përleshjen.

“Në një moment Graniti e nxori një armë nga brezi, unë ia kam kapur duart ia kam gju lart, deri sa kam provuar të ia marr armën. E di se arma ka shkrepur dhe prapë kemi vazhduar të përleshemi fizikisht. Për një moment Graniti është rrëzuar e di se edhe për së rati e kam goditur me dru në pjesë të ndryshme. Në ato çaste kanë filluar mysafirët të largohen nga lokali dhe unë ia kam dhënë 2-3 shkelma Granitit dhe jam larguar nga lokali”, ka shtuar Fatosi në deklaratat e dhëna në prokurori e polici.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri