Besnik Berisha, avokat i Shaban Gogajt, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt

Ministrja Haxhiu autorizon avokat, paralajmërohet padi ndaj avokatit Besnik Berisha

Deklaratat e avokatit Besnik Berisha kanë shtyrë ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të autorizojë avokat me qëllim të ngritjes së padisë për kompensim dëmi.

Avokati Nasuf Hasani ka thënë se padia bazë kontesti ka shpifjen dhe fyerjen.

Paralajmërimi për padi vjen pasi në një intervistë për mediumin Nacionale, Besnik Berisha ka akuzuar prokurorin Rasim Maloku se ‘me urdhër të pushtetit’ e ka arrestuar atë.

“Nëse një këlysh i pushtetit i veshur me petkun e prokurorit, merr udhëzime nga një ministre e padijshme, e paedukuar, e dështuar në profesionin e vet, patjetër se arrestohen edhe avokatët. Unë jam arrestu nga një këlysh i pushtetit. Për ata që na dëgjojnë e mos me u çuditë ju tregoj kush është ai: Ai është Rasim Maloku. Po ju tregoj se në një seancë e cila ka zgjatur nga ora 19:30 deri në orën 4:00 pas mesnate, Malokun e kam quajtur ahmak, e që je idiot e i padijshëm, e që ke marrë urdhra prej pushtetit” – ka thënë ndër të tjera Berisha në këtë intervistë.

Pas kësaj, avokati Nasuf Hasani ka thënë se është autorizuar nga ministrja e Drejtësisë që ta përfaqësojë në Gjykatën e Prishtinës sa i përket paraqitjes së padisë për kompensim dëmi kundër Besnik Berishës.

“Nga sa u njoftuam përmes mediave, z. Berisha paska thirrur nesër një Konferencë, ku e shfrytëzoj rastin ta ftoj të njëjtin që t’i prezantojë provat që dëshmojnë deklaratën e tij të mbrëmshme se Ministrja Haxhiu e paska urdhëruar Prokurorin Rasim Maloku që ta arrestojë të njëjtin. Në të kundertën, nëse i njëjti nuk e tërheq atë deklaratë nesër dhe nëse nuk kërkon falje, le të përgatitet për betejë ligjore” – ka thënë ai në Facebook.

Avokati Nasuf Hasani është kontaktuar nga KALLXO.com dhe ka treguar se padia kundër Berishës, në rast se ky i fundit nuk tërheq deklaratën dhe nuk kërkon falje, do të dorëzohet gjatë javës.

Pas intervistës së mbrëmshme avokati Berisha ka paralajmëruar edhe një konferencë për media pas zhvillimeve të fundit që përfshinë arrestimin dhe pastaj lirimin e tij nga ndalimi nga gjyqtari i procedures paraprake.

Berisha sot njoftoi se në konferencë do të paraqitet si individ, e jo si anëtar i Odës së Avokatëve të Kosovës.

“Si rezultat i zhvillimeve të fundit, z.Besnik Berisha, avokat me profesion, nesër, më datë 19.07.2023, në ora 10:30, do të mbajë konferencë për media, në ‘Swiss Diamond Hotel’ në Prishtinë” – thuhet në njoftimin për media.

Më 13 korrik, avokati Besnik Berisha është arrestuar nën dyshimet për veprën penale të ushtrimit të ndikimit dhe dhënie të ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale.

Më 14 korrik, Prokuroria e Ferizajt njofton se ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj avokatit Besnik Berisha dhe gjashtë të pandehurve me inicialet N.Xh., I.S., R.C., F.Z., J.V., dhe A.S., të cilët me vendim të prokurorit gjenden nën masën e ndalimit 48-orësh.

Berisha u lirua nga paraburgimi më 16 korrik. Gjykata në Ferizaj, ndaj Besnik Berishës ka caktuar masën e sigurisë ndalimi për t`iu ofruar vendit apo personit të caktuar në kohëzgjatje prej një muaji.

Për të pandehurin Besnik Berisha, dosja e Prokurorisë thotë se ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale – ushtrimi i ndikimit; dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale, dhe pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të siguruar nga KALLXO.com, avokati Besnik Berisha kishte kërkuar 20,000 euro me arsyetimin se të pandehurit Gëzim dhe Salih Sinani, të akuzuar në rastin “Brezovica”, do i mbrojë në procedurën hetimore pa autorizim.

Dosja thotë se këto të holla Berisha i kishte kërkuar nga i ati i të akuzuarve, nga i cili kishte marrë 11,000 euro.

Kjo pretendohet të ketë ndodhur në periudhën tetor – dhjetor të vitit të kaluar.

Kurse, në fund të dhjetorit 2022 pasi që i ishte refuzuar kërkesa për të vizituar të lartcekurit në paraburgim, avokati Berisha, sipas dosjes së Prokurorisë së Ferizajt, ka marrë fillimisht 7 mijë e më pas edhe 4 mijë euro nga babai i të pandehurve.

Këtë shumë e kishte marrë duke i udhëzuar të pandehurit që të mos e pranojnë fajësinë, thekson po ashtu dosja.

Sipas dosjes së Prokurorisë, këto veprime i ka ndërmarrë me qëllim që të ushtrojë ndikim te gjyqtarët për t’u ndërprerë masa e paraburgimit. Ndikimi i supozuar nuk ishte realizuar.

Në vazhdim, avokati Berisha dyshohet se ka ndihmuar në shmangien e zbulimit dhe arrestimit të të akuzuarit Sh.R.

Lidhur me këtë, me rastin e mbajtjes së seancës dëgjimore për të pandehurit Gëzim dhe Salih Sinani, Berisha ishte futur në sallë dhe i kishte udhëzuar të pandehurit të mos e përmendnin Sh.R.

Këtë veprim, avokati Berisha e kishte ndërmarrë pa pasur autorizim.

Pas përfundimit të seancës, sipas Prokurorisë, avokati Besnik Berisha ishte takuar me babanë e të pandehurve Gëzim Sinani dhe Salih Sinani, para objektit të Gjykatës.

Sipas Prokurorisë, kjo kishte ndodhur në periudhën nëntor – dhjetor 2022.

Gëzim dhe Salih Sinani dyshohen se në bashkëkryerje me Sh.R. kishin kryer veprën penale – fajdeja.

Vepra e tretë e cila i ngarkohet avokatit Berisha është pengimi i të provuarit.

Këtë vepër ai dyshohet se e ka kryer nga 21 shtatori i vitit të kaluar deri në janar të këtij viti, duke parandaluar personat në dhënien e informacioneve zyrtarëve policorë dhe prokurorit.

KALLXO.com ka publikuar dosjen e Prokurorisë në lidhje me rastin e avokatit Besnik Berisha.