Drenasi i Asfaltit të Prishur Shpejt Dhe Lagjes së Mbetur në Letër

Nexhat Demaku e ka përshtypjen se dy vjet më parë, kur ka dalë në fushatë zgjedhore për mandatin e tretë në krye të komunës, ka premtuar pak në raport me ato që ka realizuar brenda kësaj periudhe.

Kreu i komunës në qendër të Kosovës, thotë se komuna ka punuar në 93 projekte gjatë këtyre dy viteve.

“Pak paskam premtu në raport me ato që janë realizuar”, tha Demaku kur u përball me premtimet që ka bërë në emisionin e debatit “Jeta në Komunë” dy vjet më parë.

“Dy vjet janë të mëdha në jetën tonë të përditshme, por për problemet që ekzistojnë brenda një komune janë pak për t’u realizuar”, tha Demaku, i cili vjen nga PDK dhe ka fituar zgjedhjet në vitin 2013 për herë të tretë pa pasur nevojë për balotazh.

Brenda kësaj kohe, ai tha se është funksionalizuar aplikimi online për dokumente edhe pse, sipas tij, qytetarët nuk janë shumë të interesuar për këtë shërbim.

“Statistikat thonë se në çdo 2 minuta ne e lëshojmë nga një dokument, pra mesatarisht qytetarët nuk presin më shumë se 2 minuta për ta marrë dokumentin”, u shpreh Demaku.

Edhe për asfaltim të rrugëve Demaku kishte bërë një premtim të madh.

Kishte thënë se brenda dy viteve, Drenasi do ta përfundojë ciklin e asfaltimeve të rrugëve nëpër fshatra.

Dy vjet më vonë, bilanci i tij është se janë asfaltuar 43 kilometra rrugë; 23 kilometra në 2014 dhe 20 kilometra në 2015.

Për vitin 2014 Komuna e Drenasit ka ndarë rreth 1.4 milion euro, ndërsa për vitin 2015 janë ndarë rreth 1.7 milion.

Por dy rrugë të shtruara gjatë këtij mandati, kanë filluar të prishen.

Fjala është për rrugë në fshatin Shtuticë dhe atë në Vërbovc.

“Në një numër kaq të madh të projekteve mund të ketë edhe ndonjë lëshim. Ka raste kur kompanitë që kanë punuar kanë intervenuar në afatin dyvjeçar pa u ngarkuar komuna”, tha ai në emisionin “Jeta në Komunë” kur doli përballë Jeta Xharrës dhe asamblistëve për t’u përgjigjur për ato që ka bërë e që nuk ka bërë gjatë këtyre viteve.

Por Ajet Demiri, asamblist nga radhët e PDK-së, tha se dallimi nga vitet e kaluara është i madh, për cilësinë e rrugës.

“Nuk është problemi tek mbikëqyrja, por tek kompanitë që nuk dalin në teren me e pa tokën”, tha Demiri.

Ndërsa asamblistët tjerë dhanë kritika për tenderët që, sipas tyre, u jepen kompanive që kanë lidhje familjare me njerëzit brenda komunës.

Për një gjë të tillë kishte shkruar edhe gazeta Jeta në Kosovë në fund të viti 2015.

Drenasi Asfaltohet nga Firma e Lidhur me Njerëz të PDK-së

Rifat Bilalli nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se rrugët në këtë komunë nuk do të kryhen edhe për disa vite të tjera pasi që cilësia e rrugëve është shumë e dobët.

Në përgjithësi, Demaku po e kalon mandatin e tretë në krye të komunës së Drenasit.

Drenasi cilësohet si njëra ndër komunar me numrin më të madh të të vrarëve në luftën e fundit në Kosovë.

Për familjet e tyre, qysh nga viti 1999 është premtuar një Lagje e Dëshmorëve.

Demaku qysh nga viti 2008 ka premtuar që Lagja e Dëshmorëve do jetë shumë shpejtë e përfunduar.

Premtimin e njëjtë e kishte përsëritur edhe në zgjedhjet e vitit 2013, kur kishte thënë se do të punohet në infrastrukturën e ujësjellësit dhe kanalizimeve, si dhe rrugën në këtë lagje, duke përfshirë edhe ndarjen e trojeve për secilin banor të saj.

Asamblistët e kësaj komune, në këtë debat, kanë thënë se ky projekt nuk do të kryhet as këtë mandat, e as në tjetrin që do të vijë.

Ndërsa kryetari ua ka lënë fajin asamblistëve.

“Rrjeti i kanalizimit dhe u ujësjellësit tani janë të përfunduara, por këta (asamblistët) prioritet u ka dhënë investimeve në lagjet e banueshme”, thotë Demaku.

Sabrije Kukaj, asambliste nga radhët e NISMA-s në opozitë, tha se vetë asambleja e ka fajin për mos përfundimin e këtij projekti, pasi që ata nuk e ndajnë buxhetin për të, edhe pse janë ndarë mbi 300 mijë euro.

“Projekti në lagjen e dëshmorëve kushton 8 milionë euro, ndërsa ne kemi vetëm 3 milionë e gjysmë në vit”, tha Kukaj.

Kritika për këtë lagje kishte edhe nga anëtarët e tjerë të opozitës, ndërsa Idriz Hysenaj nga PDK tha se ky premtim nuk është dashur as të bëhej, pasi që është ditur që nuk do të përfundojë.

“Mos ka qenë premtimi juaj dhe votimi jonë një optimizëm i tepruar për Lagjen e Dëshmorëve. Unë atëherë kam qenë kundër miratimit të këtij vendimi sepse 700 troje, bëjnë 3 fshatra, dhe ne si komunë nuk kemi mundësi me buxhetin tonë t’i plotësojmë ato nevoja… edhe e kam ditë edhe atëherë dhe s’po më vjen mirë që ia kam qëllu atëherë”, tha ai.

Në këtë debat, gjithashtu u diskutua edhe për mungesën e ujit të pijes në shumë fshatra të kësaj komune, si dhe rrjetin e kanalizimit i cili nuk është funksional.

Nexhat Demaku nuk e ka të vështirë që ta qeverisë Drenasin pasi që në asamblenë e komunës që e drejton, partia e tij ka kontrollin e plotë.

Nga 21 asamblistë sa ka Drenasi, 22 janë të PDK-së ndërsa 4 të NISMA-s. Katër partitë tjera, LDK, Vetëvendosje, AAK dhe AKR kanë nga një asamblist kurse një tjetër është i pavarur.