Teatri Kombëtar i Kosovës - Foto: Atdhe Mulla

Drejtorët e teatrove të Kosovës kërkojnë ligj të ri për teatrin

Ligji në fuqi për teatrin mbetet ndoshta i vetmi që asnjëherë nuk është zbatuar i plotë nga asnjë prej institucioneve për të cilat është bërë, veçmas nga teatrot profesioniste nëpër qytetet e Kosovës.

Që nga miratimi i tij në Kuvendin e Kosovës më 2011 e deri më sot ky Ligj është cilësuar si i pazbatueshëm nga drejtues të institucioneve teatrore në vend, por edhe shoqatat dhe njerëzit e teatrit.

Sipas kritikëve, pazbatueshmëria e këtij Ligji është provuar dhe bërja e një ligji të ri për teatrot është i paalternativë.

Sipas Ligjit në fuqi, teatrot publike, ku hyjnë edhe ato të qyteteve, janë të obliguara që të kenë edhe udhëheqës artistik dhe një ansambël rezident të aktorëve jo më pak se 10 aktorë e jo më shumë se 20,  të gjeneratave të ndryshme, qëndrueshmëri buxhetore, etj. Por, teatrot e qyteteve nuk kanë mundur të përmbushin këto detyrime ligjore.

E ajo që ishte parë si e meta kryesore e këtij Ligji ishte se të gjitha kompetencat për teatrot e qyteteve ua kalon drejtuesve të qyteteve përkatëse, të cilat pak kanë bërë për të kryer detyrimin ligjor ndaj institucioneve të tyre kulturore, që në fakt janë edhe institucionet elitare të kulturës për çdo qytet.

Megjithatë, pavarësisht ligjit të ‘keq’ dhe kushteve aspak të favorshme teatrot e qyteteve janë duke funksionuar dhe realizuar premiera e repriza sipas mundësive.

Por, për të qenë institucione elitare atyre u duhet mbështetja komunale dhe një ligj i ri i zbatueshëm që mundëson zhvillimin e fushës së teatrit në vend.

Dëshmitë për një ligj të ri

Agron Gërguri, drejtor i Teatrit të Qytetit në Podujevë “Avdush Hasani”, ka thënë për KALLXO.com, se Ligji për teatrot duhet ndërruar, jo për një nen apo formulim, por në tërësi, pasi është jofunksional, siç ka thënë ai, edhe që e ka penguar zhvillimin e teatrit.

Gërguri ka thënë se Ligji për teatrot është kontradiktor nga neni në nen. “Për ilustrim lexoni nenet e aktit nënligjor, procedurat për themelimin e teatrove, nga neni 1 deri 14 kërkon diçka,  në nenin 15 stopon procedurat.  Nuk respektohet as vlerësohet produkti i teatrit që është shfaqja teatrore, por performanca administrative duke e trajtuar kështu teatrin si ndërmarrje e jo institucion elitar i kulturës”, ka thënë Gërguri.

Si të metë të Ligjit, Gërguri e sheh edhe insistimin në pranimin në punë të aktorëve të më së pak 10 dhe jo më shumë se 20 aktorë, në vend se, siç pohon më tej ai, të insistohet në krijimin e kushteve për punë në infrastrukturë dhe pajise teknike për teatro. Pastaj mosharmonizimi i Ligjit me ministritë e tjera të implikuara në implementimin e Ligjit.

Ai ka thënë se duhet krijuar obligim ligjor për mbështetjen e teatrove, pranim të aktorëve për realizimin e repertorit të planifikuar për 4 vjet, me qëllim që aktorët të lidhen me teatrin përmes shfaqjeve te caktuara e jo në mënyrë administrative.

Gërguri ka potencuar më tej se duhet që ligji të përcaktojë nivele të ndryshme të funksionimit të teatrove.

“Fundja ligji ekzistues nuk është zbatuar asnjëherë përveç kur është dashur të pengohet apo pamundësohet themelimi i teatrove. Shpresoj që do të merren në konsideratë propozimet e teatrove të qyteteve të paraqitura para komisionit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Teatrot”, ka thënë ai, duke shtuar se është e pamundur që ketë me këtë Ligj të ketë një funksionim normal të teatrove të qyteteve.

Agron Gërguri ka lënë të kuptohet se si rezultat i këtij ligji teatri që ai drejton nuk ka mundur të konsolidohet për të kryer punë, pasi siç ka thënë ai, rrjedhimisht nuk mund të konstatohet se ka ngecje të ligjit kur vetë ligji është i ngecur, dhe gjithçka që derivon prej tij nuk është e zbatueshme.

“Megjithëkëtë Teatri e ka funksional ligjin vetëm sa i përket numrit te premierave që duhet nxjerrë para publikut. Ligji thotë 2 premiera gjatë një sezoni teatror, ndërsa sivjet do përgatisim tre premiera. Pra derisa te mos ndodhin ndryshimet në Ligj të cilat do duhej të favorizojnë produktin artistik ne do orientohemi në krijimin e fondit të shfaqjeve si esenca e të funksionuarit të teatrit si art”, ka thënë për Kallxo.com, Agron Gërguri.

Kundërthënie në hierarki

Për më keq Ligji aktual për teatrot bie ndesh me shumë ligje tjera dhe ka kundërthënie në hierarkinë e organeve udhëheqëse.

Fatmir Hyseni, drejtor i Teatrit “Adriana” të qytetit të Ferizajt ka thënë se Ligji aktual nuk i plotëson nevojat për funksionimin e teatrove, duke numëruar një sërë arsyesh.

Në fillim, sipas Hysenit, ligji aktual për teatrot bie ndesh me ligjin për financa publike, pastaj me ligjin për vetëqeverisje lokale, me ligjin e administratës publike.  Ky ligj, shton më tej drejtori Hyseni  ka kundërthënie edhe në hierarkinë e organeve udhëheqëse në mes drejtorit të përgjithshëm, udhëheqësit artistik si dhe këshillit drejtues. Këshilli drejtues ka edhe kompetenca ekzekutive dhe kjo, siç ka thënë ai,  e vështirëson edhe më shumë funksionimin e teatrit.

“Teatrot e qyteteve në Kosovë, të gjitha e kanë problemin e njëjtë edhe me trupën rezidente të aktorëve. Në Ferizaj trupa rezidente e aktorëve është me kontrata në shërbime të veçanta, pasi nuk ka mundësi që aktorët të jenë me kontrata të rregullta”, ka pohuar drejtori i teatrit “Adriana” të Ferizajt, Fatmir Hyseni.

Premtimet e MKRS-së

Në favor të bërjes së një ligji të ri për fushën e teatrit në vend është edhe MKRS.

Gjatë një takimi të zhvilluar në mes të ministrit të Kulturës Kujtim Gashi dhe drejtorëve të teatrove të qyteteve kryesore të Kosovës ministri premtoi se në pjesën e parë të 2019 do të ketë një ligj të ri për teatrot, ligj i cili sipas premtimeve të ministrit, MKRS është duke e përgatitur koncept dokumentin i cili do të miratohet në Qeveri duke i hapur rrugën ligjit të ri.

Me ligjin e ri siç u është thënë drejtorëve të teatrove të qyteteve, parashihet rritja e buxhetit dhe avantazhet tjera. Po ashtu edhe që të obligojë komunat dhe kryetarët e tyre që të ndajnë buxhet shtesë për teatrot, rritjen e numrit të stafit dhe futjen e tyre në lista të rregullta të pagave.

“Me ligjin e ri dhe zbatimin e tij, teatrot anekënd Kosovës do të stabilizohen dhe kjo drejtpërsëdrejti do të ndikojë në rritjen e aktiviteteve dhe vlerave artistike”, pati pohuar ndër të tjerash ministri Gashi, gjatë takimit me drejtuesit e teatrove të qyteteve kryesore në vend.