Drejtoreshat e mbrojnë Ramiz Lladrovcin: Presioni ndaj grave nuk është në natyrën e kryetarit

Drejtoreshat e Komunës së Drenasit kanë reaguar ndaj rastit në të cilin zyrtarja komunale Zahrie Podrimqaku- Subashi ka akuzuar kryetarin, Ramiz Lladrovci, se i ka bërë presion për largim nga puna me qëllim të zëvendësimit me renë e motrës së tij.

Sipas tyre në këtë rast nuk ka asgjë të vërtetë sepse sjellje të tilla nuk janë në natyrën e kryetarit të Komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci.

“Në lidhje me rastin e përfolur gjoja se Kryetari Lladrovci paska ushtruar “presion psikik” ndaj kësaj zonje, ne si gra udhëheqëse në këtë komunë e kundërshtojmë, sepse një gjë të tillë, as nuk është në natyrën e Kryetarit as në moralin e tij. Për këtë, ne jemi bindur, që nga marrja e mandatit të tij si Kryetar, duke qenë pjesë e Kabinetit si drejtoresha”, thuhet në reagimin e tyre në Facebook.

Sipas tyre e gjitha kjo fushatë ndaj kryetarit Lladrovci është bërë për qëllime elektorale.

“Ne gratë udhëheqëse, të emëruara sipas kritereve të meritës dhe kompetencës, angazhimit dhe përkushtimit, jemi të indinjuara me fushatën kundër komunës tonë, nga individ me fushata shpifëse para elektorale. Ne e kundërshtojmë gjuhën, sjelljen dhe insinuatat kundër Komunës dhe Kryetarit Lladrovci”, thuhet në tutje në reagim.

Sipas tyre, ato nuk mund të jenë pjesë e kësaj shfaqje sepse Podrimqaku nuk e ka thënë të vërtetën për këtë rast.

“Ne nuk mund te jemi pjesë e lojërave dhe inskenimeve teatrale të askujt, të asnjë zonje as personave që fshihen prapa saj, sepse, ne si staf i të përzgjedhurit të popullit, jemi këtu për të punuar dhe mbrojtur interesat e vendit dhe të mbajmë anën e ligjit dhe ligjshmërisë. Çdo herë, duke e thënë të vërtetën. Znj. Podrimqaku dhe çdo grua tjetër do ta ketë përkrahjen tonë vetëm atëherë kur të jetë në gjendje ta thotë të vërtetën”, thonë ato.

Të premten që lamë pas Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe Lobi për Barazi Gjinore në Kosovë (Lobi) kanë shprehur shqetësim në lidhje me presionin që, sipas tyre, po i bëhet koordinatores së Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut dhe Zyrtare për Barazi Gjinore (ZBGJ) dhe Mundësi të Barabarta (MB) në Drenas, Zahrie Podrimqaku-Subashit, nga kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci.

Sipas këtyre organizatave, që nga marrja e postit të kryetarit të komunës, Ramiz Lladrovci po ushtron presion të vazhdueshëm për të larguar nga puna Podrimqaku-Subashin.

Ndërsa Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i ka quajtur shpifje lajmet se i ka bërë presion për largim nga puna koordinatores për të Drejtat e Njeriut dhe Zyrtare për Barazi Gjinore brenda kësaj komune, Zahrie Podrimqaku-Subashit.