Drejt Dimrit Shtrenjtohen Çmimet

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) me publikimin e të dhënave për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), thotë se çmimet në tetor u rritën për 0.9 për qind në krahasim me shtatorin.

Sipas ASK-së, tarifat e dimrit për energjinë elektrike,bashkë me çmimet e gazit dhe lëndëve djegëse ndikuan në këtë ngritje.

“Ngritje e çmimeve vërehet te perimet (2.9%); rryma, gazi dhe lëndët e tjera djegëse (21.0%) – (ngritje e çmimit të rrymës elektrike në një mesatare prej 39.7% për shkak të aplikimit të tarifave dimërore të energjisë elektrike nga 1 tetor 2016 – 31 mars 2017); përdorimi i pajisjeve për transportin personal (1.3,“ thuhet në njoftimin e ASK-së.

Ndërsa në tetor në raport me shtatorin, çmime më të ulëta kishin, mes tjerash, pemët dhe pajisjet telefonike e të telefaksit.

“Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve te qumështi, djathi dhe vezët (-1.4%); pemët (-7.9%); shërbimet për transport (-1.4%)-(rënie e çmimit të biletave me aeroplan); pajisjet telefonike dhe të telefaksit (-2.6),” tregon ASK-ja

Agjencia e Statistikave thotë se shkalla e inflacionit e matur në muajin tetor 2016, në raport me tetorin e vitit të kaluar është 0.9 për qind.

Çmimet e muajit tetor janë më të larta edhe nëse ky muaj krahasohet me tetorin e vitit të kaluar.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0.9% në muajin tetor 2016, krahasuar me muajin tetor 2015,” thuhet në publikimin e ASK-së.

Më të shtrenjta në këtë tetor në raport me të njëjtin muaj të vitit të kaluar ishin çmimet e transportit, sheqerit dhe ëmbëlsirave.

“Indeksi i Tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është më i lartë për 0.9% në muajin tetor 2016. Ngritje e çmimeve vërehet te mishi (1.2%); qumështi, djathi dhe vezët (1.3%); sheqeri dhe ëmbëlsirat (8.4%); duhani (5.1%); veshjet (2.5%); rryma, gazi dhe lëndët tjera djegëse (1.6%)-(ngritje e çmimit të drunjve për ngrohje); shërbimet për transport (12.4%) – (ngritje e çmimit të biletave me aeroplan),” thuhet në hulumtimin e çmimeve të publikuar nga ASK-ja.

Sipas Agjencisë së Statistikave, buka dhe drithërat me -1.4 për qind, pemët me -5.7 për qind, neutralizuan ngritjen e çmimeve të grupeve tjerë.

KALLXO.com shkroi edhe më parë për ngritje çmimesh këtë vit.Në bazë të publikimeve të ASK-së në shtator çmimet ishin më të shtrenjta se në gusht dhe në gusht më të shtrenjta se në korrik.

http://kallxo.com/cdo-muaj-shtrenjte-se-tjetri/

http://kallxo.com/cmime-te-shtrenjta-ne-gusht/