Debati në lidhje me dhunën ndaj grave | Foto: KALLXO.com

Dhuna Ndaj Grave-Turp për Shkaktuesit e Saj

Grupi i Grave Asambliste, Zyra për Barazi Ligjore dhe Kabineti i Kryetarit të Komunës së Prishtinës organizuan bashkërisht sot debatin për dhunën ndaj gruas, pasojat e saj dhe njohuritë ligjore rreth kësaj çështjeje.

Në këtë debat u përmendën llojet e dhunës që ushtrohen ndaj grave, pasojat që lë dhuna në to dhe procedurat ligjore që ndiqen kur kjo dhunë raportohet në organet kompetente.

Aktiviteti i sotëm që po zhvillohet në kuadër të “16 Ditëve të Aktivizimit Kundër Dhunës ndaj Gruas” nisi me moton që dhuna ndaj grave “Turp Është për atë që e Shkakton dhe jo për atë që e Raporton”.

Në debat, Tahire Haxholli, kryesuese e Sektorit Kundër Dhunës në Familje në Policinë e Kosovës, përmendi raste të shumta në të cilat gratë janë viktima të familjes, ndërsa kërkoi që kjo dukuri duhet të trajtohet me seriozitet.

“Në familje duhet të fillojë mbrojta e femrës, por pikërisht aty fillon dhuna ndaj saj,” tha Haxholli.

Ajo tha se Policia e Kosovës po punon në sensibilizimin, parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj gruas.

Basri Kastrati që udhëheq Zyrën për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave, tha se numri i rasteve të dhunës në familje është në rritje në krahasim me vitin e kaluar.

“Për vetëm nëntë muaj të këtij viti, rastet janë pothuajse në numër të njëjtë me 12 muajt e vitit të kaluar,” tha Kastrati.

Edhe misioni i OSBE-së në Kosovë do të zhvillojë aktivitete gjatë 16 ditëve të aktivizimit të dhunës ndaj gruas.

“Fushata përfshin një fletëpalosje me informata rreth asaj se çfarë është dhuna në familje, si të identifikohet, si dhe çfarë mbështetje ekziston për viktimat; fotografi dhe mesazhe personale nga figura publike në Kosovë lidhur me këtë temë, si dhe mesazhe konceptuale për ta theksuar rëndësinë e ngritjes së zërit kundër dhunës,” thuhet në një njoftim të OSBE-së.

OSBE-ja tregon edhe sa raste të dhunës në familje janë regjistruar sivjet.

“Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, vetëm në vitin 2016 janë raportuar mbi 800 raste të dhunës në familje. Këto shifra me shumë gjasë janë edhe më të larta në realitet si pasojë e prirjes për ta fshehur këtë krim,” shpjegon njoftimi i OSBE-së.

Edhe EULEX-i në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Ndaj Gruas u zotua se “është i përqendruar që, me anë të trajtimit të nevojave dhe identifikimit të mangësive, t’i fuqizojë institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit dhe t’i zhvillojë më tej aftësitë e tyre për shqyrtimin e rasteve të dhunës së bazuar në gjini”.

Sipas një komunikate të EULEX-it, drejtuesja e tij Alexandra Papadopoulou konstatoi se gratë në Kosovë i nënshtrohen ende dhunës së llojeve të ndryshme.

“Dhuna e bazuar në gjini është shkelje e të drejtave të njeriut. Ajo ua mohon grave të drejtat themelore dhe paraqet pengesë të madhe ndaj barazisë mes grave dhe burrave,” theksoi Papadopoulou, sipas komunikatës.

Në nëntor të vitit të kaluar në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” u shfaq rrëfimi i një gruaje që ishte rrahur vazhdimisht nga bashkëshorti i saj.

Dhuna ndaj grave në Kosovë në disa raste kishte si pasojë edhe vdekjen e tyre. Më 23 tetor 2015 nga dhuna e ushtruar prej burrit të saj vdiq në Suharekë Zejnepe Berisha. Për këtë vrasje është duke u zhvilluar një proces gjyqësor.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri