Gjykimi i deputetit Naser Osmani | Foto: KALLXO.com

Dëshmitari Tërhiqet nga Deklarata në Gjykimin e Deputetit

Në gjykimin e deputetit të Kuvendit të Kosovës Naser Osmani dhe të tjerëve, gjykim ky i cili lidhet me privatizimin e Fabrikës “FAN” në Podujevë, si dëshmitar u dëgjuan Shuajb Vllahiu, Sami Rexha e Rrahman Sopa.

Kurse me propozimin e prokurores speciale Fikrije Fejzullahu si dhe me pëlqimin e të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre trupi gjykues vendosi që dëshmitarët Enver Zhjeqi, Nexhip Halimi, Afrim Shala, Valbona Raifi, Ekrem Deshishku, Agim Emini dhe Fahredin Mehmeti të moas dëgjohen, por dëshmitë e tyre të mëhershme të lexohen.

Dëshmitari Shuajb Vllahiu kur u pyet nga prokurorja Fejzullahu në lidhje me faktin nëse kishte dhënë dëshmi më herët në lidhje me këtë rast, ai tha se i kishte dhënë dy deklarata dhe se qëndron vetëm prapa deklaratës së dhënë herën e dytë, pasi që gjatë herës së parë kishte qenë i frikësuar.

“Unë kam dhënë dy herë deklarata, qëndrojë prapa deklaratës së dytë e të pares jo, se të parën jom tut”, u shpreh Vllahiu.

Në lidhje me këtë deklarim, kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti kërkoi të dinte nga dëshmitari se për çfarë arsye kishte qenë i frikësuar, e kishte kërcënuar dikush, apo cila kishte qenë arsyeja.

“Më ra shpejt, s’di as çka”, u përgjigj dëshmitari i cili shtoi se nuk ka qenë i kërcënuar nga askush por që ka qenë i stresuar.

Në lidhje me këto deklarata dëshmitari u shpreh se njërën e kishte dhënë në polici kurse herën e dytë ishte intervistuar në një vend afër “Gorenjes”.

Prokurori dhe trupi gjykues thanë se deklarata e dytë e dëshmitariot nuk ekziston në shkresat e lëndës.

Më pas prokurorja kërkoi të dinte nga dëshmitari nëse ai të kishte kryer ndonjëherë ndonjë shit-blerje me Agim Deshishkun, për të cilin dëshmitari tha se e ka djalë të hallës.

Vllahiu tha se Agim Deshishkut ia kishte shitur 14 makina të cilat ai vetë i kishte blerë në kompaninë “Ramiz Sadiku”, në vlerë prej 54 mijë eurove,

Tha se makinat ia shiti Deshishkut për 320 mijë euro.

Në lidhje me këtë shitblerje në mes të dëshmitarit Vllahiu dhe Agim Deshishkut, prokurorja e pyeti dëshmitarin nëse ai i kishe marrë të hollat pas realizimit të shitjes.

“A ja ke dorëzu sh.p.k “FAN” 14 makina? A i keni marrë të hollat?, pyeti prokurorja.

“Po ja kam dorëzu dhe jo nuk i kam marrë të hollat. E kena lanë me pagu më vonë se për momentin nuk ka pasur pare”, u përgjigj dëshmitari.

Më pas prokurorja i lexoi dëshmitarit një pjesë nga procesverbali i dëshmisë së tij të dhënë në polici, ku ai kishte deklaruar se ndërmarrjes “FAN”, nuk i ka shitur asgjë dhe se atë kontratë e kishte nënshkruar me kërkesën e Muharrem Deshishkut, vëllait të Agim Deshishkut, i cili i kishte thënë ta nënshkruante se nuk paraqet asnjë problem.

Në lidhje me këtë pjesë të deklaratës së dhënë atëherë, dëshmitari përsëri u shpreh se ai nuk qëndron prapa asaj deklarate të dhënë atëherë për faktin se ka qenë i frikësuar dhe ka pasur stres.

Në cilësi të dëshmitarit u dëgjua edhe pronari i firmës “Rexha”, Sami Rexha, i cili kur u pyet në qoftë se i kujtohej nëse më herët kanë lidhur një kontratë lidhur me një ndërtim në mes të firmës së tij dhe ndërmarrjes “FAN”, tha se në lidhje me këtë kontratë ka dëgjuar nga vëllai i tij Esati i cili është menaxher në firmë.

Tutje prokurorja e ballafaqoi dëshmitarin me një deklaratë të tij të dhënë në hetuesi.

“Në dëshminë tuaj të dhënë me datën 23.04.14, keni thënë kështu: ‘dokumenti i prezantuar si faturë në emër të ‘Rexha’ sh.p.k për blerësin ‘FAN’ sh.p.k i datës 11.06.09 me përshkrimin ndërtim i depos në Podujevë në vlerë 326 mijë e 570 euro a është faturë e rregullt?

Ju jeni përgjigjur: “Fatura nuk është e realizuar, nuk kemi ndërtuar asnjë objekt në ndërmarrjen “FAN”, kjo faturë është bërë me kërkesën e Agim Deshishkut dhe për çfarë qëllimi është bërë nuk e di, por e di që shuma e cekur në atë faturë nuk është e vërtetë, sepse pagesa nuk është bërë”.

Për këtë pjesë të deklaratës dëshmitari tha se menaxheri është ai i cili duhet të përgjigjet në raport me këtë rrethanë dhe se ai nuk ka njohuri.

Kurse avokati Granit Vokshi kërkoi të dinte nga dëshmitari nëse kjo faturë ndërmjet firmës së tij dhe ndërmarrjes “FAN”, është e evidentuar në librat e shitjes, për çka dëshmitari deklaroi se e ka pyetur kontabilistin dhe ai i ka thënë se është e evidentuar.

Dëshmitari tjetër Rrahman Sopa tha se në ndërmarrjen “FAN”, para privatizimit kishte qenë në pozitën e drejtorit teknik ku kishte pasur rol udhëheqës, mirëpo pas privatizimit u shpreh se i ishte dashur që të punojë edhe punë të tjera të nevojshme në ndërmarrje.

Kur u pyet nga i akuzuari Agim Deshishku se si kishte qenë gjendja e ndërmarrjes para dhe pas privatizimit, dëshmitari i tregoi dallimet.

“Gjendja para privatizimit ka qenë si në krejt Kosovës, pronë e gjithkujt dhe e askujt, punëtorët e kanë konsideruar veten me bo veprime siç kanë dashtë, pas privatizimit kuptohet tjetër send është privatizimi. Këqyre maltretimin qysh të marrësh, ata e kanë konsideruar maltretim punët e tjera që i kanë kryer, atë depo e kam punuar me punëtorët e fabrikës”, tha dëshmitari.

Në këtë rast gjyqësor, Naser Osmani bashkë me 7 persona të tjerë po gjykohen në lidhje me privatizimin e fabrikës “Fan” në Podujevë.

Në kohën për të cilën akuzohet, deputeti Osmani ka qenë anëtar i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit

Përveç tij, pjesë e gjykimit janë edhe Bahri Shabani, Melita Ymeraga, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu,dhe Adrian Kelmendi (të gjithë zyrtarë të AKP-së), si dhe Agim Deshishku si blerës i fabrikës “Fan”.

KALLXO.com ka përcjellë në vazhdimësi këtë proces. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.