Gjykimi i aktivistëve | Foto: KALLXO.com

Dëshmitarët e Prokurorisë Pritet të Dëgjohen për Sulmin në Kuvend

Tri ditë pasi u liruan nga arresti shtëpiak dhe paraburgimi, aktivistët e Vetëvendosjes të akuzuar për sulmin me mjet shpërthyes në Kuvend gjatë gushtit të vitit të shkuar do të paraqiten edhe sot në gjykatë.

Në seancën e sotme të gjykimit ku Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti akuzohen për terrorizëm, pritet të dëshmojnë dëshmitarët e prokurorisë.

Dëshminë e tyre sot është paraparë ta japin Mentor Krasniqi, Sylejman Ramadani dhe Skender Ymeri.

Mentor Krasniqi, njëri nga dëshmitarë e sotëm në fillim ishte i dyshuar për sulmin në Kuvend, ndërsa në këtë cilësi kishte dhënë deklaratë në prokurori.

Prokurori po e përdor atë deklaratë të Mentor Krasniqit në seancën e sotme, duke iu referuar asaj.

Katër avokatët e të akuzuarve kërkuan që kjo deklaratë të përjashtohet si provë, por kërkesa e tyre u refuzua nga trupi gjykues.

Një ditë pas lirimit të katër aktivistëve nga masat e sigurisë, në një konferencë për gazetarë Lëvizja Vetëvendosje aktakuzën ndaj tyre e konsideroi “kullë prej letre”.

http://kallxo.com/lirohen-aktivistet-e-vetevendosjes/

Aktivistët e Vetëvendosjes u arrestuan në gusht të vitit të kaluar si të dyshuar për sulmin me mjet shpërthyes në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, ndërsa aktakuza ndaj tyre u ngrit në dhjetor të vitit 2016.

http://kallxo.com/gjashte-te-arrestuar-per-sulmin-ne-kuvend/