Deklarohen të pafajshëm tre të akuzuarit për veprime huligane ndaj policëve , veçohet procedura ndaj ministrit Sveçla dhe të tjerëve

Për veprimet që u bënë më 27 qershor 2013, ministri aktual i Punëve të Brendshme dhe disa persona të tjerë sot ishte paraparë të uleshin prapë në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës.

Xhelal Sveçla së bashku me Dardan Molliqajn, Nol Nushin, Frashër Krasniqin, Egzon Azemin, Arsim Maqastenën, Pajtim Havollin, Afrim Hoxhën, Pajtim Demajn dhe Agron Kabashin po akuzohen për veprime të dhunshme, huligane, hedhje të gurëve, ngjyrës, sferave të qelqit, shisheve, mjeteve piroteknike në drejtim të Policisë para gati 10 viteve.

Në seancë nga 10 të pandehurit u paraqitën vetëm tre: Egzon Azemi, Afrim Hoxha e Pajtim Demaj.

Me vendim të gjyqtarit të rastit, Eroll Gashi, procedura është veçuar për personat të cilët munguan: Xhelal Sveçla, Dardan Molliqaj, Nol Nushi, Frashër Krasniqi, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli e Agron Kabashi.

Tre të pranishmit u deklaruan të pafajshëm lidhur me veprat që u vihen në barrë.

I vetmi që sipas gjyqtarit Gashi e ka arsyetuar mungesën në seancën e sotme ka qenë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Gashi tha se i pandehuri Sveçla sot ka lajmëruar Gjykatën se për shkaqe të angazhimit të natyrës urgjente nuk mund të marrë pjesë në seancën e sotme.

Në anën tjetër, gjyqtari Gashi tregoi se Maqastena dhe Havolli nuk e kanë arsyetuar mungesën e tyre në seancën e sotme.

Ndaj personave që munguan në seancën e fundit, Gjykata kishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim.

Këto urdhëresa u trajtuan nga Policia e Kosovës, të cilët Molliqajn, Nushin, Kabashin dhe Krasniqin i kërkuan në adresat e tyre e edhe në vende të tjera, përfshirë këtu edhe zyret e Partisë Socialdemokrate e madje i kontaktuan edhe në numra të telefonit e biseduan me kolegë të tyre, por që prapë rezultuan pa sukses.

Seanca e fundit për këtë rast ishte planifikuar të mbahej më 9 mars 2023, mirëpo e njëjta kishte dështuar si pasojë e mungesës së gjashtë të akuzuarve ani pse ndaj tyre gjykata kishte lëshuar urdhëresë për sjellje të detyrueshme.

Prezentë në seancën e fundit kishin qenë vetëm ministri Sveçla së bashku me Maqastenën, Havollin dhe Hoxhën, përderisa Demaj e kishte njoftuar Gjykatën se për shkak të një emergjence familjare e kishte pasur të pamundur që të prezantojë në seancë.

Këta persona nga Prokuroria po akuzohen për pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm.

Tutje të pandehurit që prezantuan në seancë ishin kundër propozimit të Gjykatës që ndaj të pranishmëve të veçohet procedura.

Për këtë rast të akuzuar fillimisht ishin 13 persona, por dy prej të akuzuarve Bekim Shkodra dhe Besnik Qelaj kishin pranuar fajësinë për veprën penale të huliganizmit.

Ndërsa për të akuzuarin Sami Avdiu është veçuar procedura për veprën penale të pjesëmarrjes në turmë që kryejnë vepër penale të huliganizmit si dhe për veprën penale të sulmit ndaj personit zyrtar.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com të pandehurit më datën 27 qershor 2013 në Prishtinë me qëllim të dëmtimit të personave zyrtarë – policë të Kosovës – me veprime të dhunshme, huligane, kanë hedhur gurë, ngjyrë, sfera të qelqit, shishe, mjete piroteknike në drejtim të tyre.

Sipas aktakuzës si pasojë e këtyre veprimeve, lëndime të lehta trupore kanë pësuar zyrtarët policorë.

Gjithnjë sipas aktakuzës me këto veprime të njëjtit i kanë dëmtuar uniformat dhe pajisjet e zyrtarëve policorë, e po ashtu edhe 4 automjete të Policisë së Kosovës.

Ministri i Brendshëm i ulur në bankën e të akuzuarit nën akuzën për veprime të dhunshme, huligane ndaj policëve në 2013-ën