Ilustrim

Dërgohet në burg pejani, dyshohet se e kërcënoi konsullin e Konsullatës së Austrisë

Gjykata e Pejës ka aporovuar sot kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.P., i cili dyshohet se ka kanosur seriozisht konsullin e konsullatës së Austrisë.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë së Pejës, më 06.05.2019, rreth orës 01:26 min, në Pejë, i pandehuri seriozisht kanos të dëmtuarin zyrtarin – konsullin në Konsullatën e Austrisë në Pejë A.Ҫ., me qëllim të frikësimit ose shkaktimit të ankthit.

Prokuroria pretendon se I pandehuri përmes telefonit të tij i dërgon SMS të dëmtuarit në gjuhën gjermane duke kërkuar që t’ia sigurojë një dokument udhëtimi dhe mjete materiale me qëllim të udhëtimit për në Austri, e më pas edhe komunikon me të rreth 10 minuta.

Pasi që i dëmtuari nuk i përgjigjet, i pandehuri natën kritike përmes Whatsapp-it i dërgon një mesazh kërcënues “Unë do ta fshij popullin tuaj nga faqja e dheut nëse ti mendon që ta kundërshtosh presidentin e shtetit.”

Me këto veprime i pandehuri A.P. dyshohet se ka kryer veprën penale të kanosjes, njofton komunikata e lëshuar nga Tringa Zhuti, zyrtare për informim e Gjykatës së Pejës.

Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.