Foto nga seanca

Sulmi ndaj Arben Gashit në Kuvend, Xhavit Haliti sërish mungon në gjykim

Në Gjykatën e Prishtinës ka dështuar sërish shqyrtimi gjyqësor për rastin e sulmit të Xhavit Halitit kundër deputetit Arben Gashi.

Deri tek dështimi erdhi sepse mungesa e të pandehurit Xhavit Haliti ka rezultuar me mospërmbushje të kushteve ligjore për mbajtjen e gjykimit.

Gjyqtari i rastit Driton Berisha ka treguar se më 4 dhjetor kishin pranuar parashtresë për shtyrje të seancës nga ana e mbrojtësit të Xhavit Halitit, avokatit Kujtim Këveshi. Parashtresa citonte udhëtim drejt Zvicrës për arsye shëndetësore si arsye, tregoi gjyqtari.

Por ai shpjegoi se kësaj kërkesë nuk i ishte bashkangjitur asnjë provë që do ta bënte të besueshme atë, qoftë provë të ekzaminimeve mjekësore apo biletë udhëtimi.

“Në gjykatë flitet me prova dhe jo me fjalë” – u shpreh gjyqtari Driton Berisha.

Mëtutje ai tregoi se në disa raste ka qenë e pamundshme t’i dërgohet ftesa shkaku i paqartësive me adresë ndaj dhe rezulton në shkresat e lëndës se Xhavit Haliti ka munguar më shumë se një herë në seanca. Kjo u paraqit si arsye për mos mbajtjen e seancës nga gjyqtari.

Ndryshe nga i pandehuri, në cilësinë e palës së dëmtuar i pranishëm ishte deputeti Arben Gashi.

Madje përfaqësuesi i Arben Gashit, avokati Ahmet Tahiri, i propozoi gjykatës që të marrë masa ndaj të pandehurit i cili me mungesat e tij në seanca, sipas tij po e zvarrit procesin “pafundësisht”.

Aty ndërhyri gjyqtari i rastit, duke i thënë se nuk kishte nevojë të tregonte se çka duhet të ndërmerrte gjykata.

“Nuk ke nevojë me na i tregu ato [masat për të pandehurin], i dimë autorizimet ligjore. Na kurse prej këtyre kërkesave, këshillave të panevojshme”.

Pas kësaj kundërpërgjigje, gjyqtari mori aktvendim me të cilën seanca u shty për datën 29 dhjetor 2023.

Xhavit Haliti së bashku me Gani Dreshajn ishin dënuar me nga 1,250 euro gjobë secili për sulm ndaj deputetit të LDK-së, Arben Gashi.

Ish-deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ishte shpallur fajtor nën akuzat se e kishte shtyrë dhe e kishte qëlluar me bërryl në gjoks deputetin Gashi.

Ndërsa ish-deputeti i AAK-së, Gani Dreshaj, u shpall fajtor nën akuzat se e kishte kanosur deputetin Arben Gashi me fjalët “kom me ta prishë fytyrën”.

Çka thotë aktakuza?

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurorja e shtetit Merita Shala- Muhaxhiri, më datën 18 maj 2018 në Kuvendin e Kosovës Xhavit Haliti me dashje e ka sulmuar deputetin Arben Gashi.

Aktakuza përshkruan se Haliti e kishte shtyrë me krah dhe bërryl – në gjoks Gashin, duke kryer kështu veprën penale sulmi.

Gjithnjë sipas dosjes, në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin vend, i pandehuri tjetër Gani Dreshaj, me dashje e kishte kanosur deputetin Gashi.

Sipas përshkrimit, Dreshaj i kishte thënë Gashit “kom me ta prishë ftyrën” duke i shkaktuar këtij të fundit frikë dhe ankth, duke kryer kështu veprën penale kanosje.

Prokuroria përmes aktakuzës me urdhër ndëshkimor kishte kërkuar dënim me gjobë pa shqyrtim gjyqësor për të pandehurit.

Pranimi i kundërshtimit të ushtruar nga Xhavit Haliti kishte shkaktuar mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor për të vendosur edhe njëherë për rastin në fjalë vetëm për të, por jo edhe për Dreshajn.

Ndjekja penale i ka kaluar prokurorit të shtetit Besnik Jakupit.