Gjykata e Prishtinës e dënon të akuzuarin për kanosje të deputetes Ganimete Musliu

Gjykata e Prishtinës e ka dënuar me 6 muaj dënim me burgim të akuzuarin, Driton Maloku që kanosi deputeten e PDK-së, Ganimete Musliu.

Ky dënim, me pëlqimin e të pandehurit mund të zëvendësohet në dënim me gjobë në shumën prej 5 mijë euro.

Sipas aktakuzës, i pandehuri me datën 23.12.2022 rreth orës 17:16, derisa e dëmtuara Ganimete Musliu ishte në veturën e saj në lagjen e Spitalit, telefonon të dëmtuarën duke e pyetur “A je ti Ganimetja, ty duhet me të zhdukë”.

E pas disa minutash i njëjti sipas aktakuzës përsëri i dërgon mesazh të dëmtuarës me tekstin “Përshwndetje Ganimete, A je tu ma kry qat punë, me shti qat personin në punë, për çka je pagu, a po i kthen 20 mijë euro që i ke marrë për me kry punë?”, duke shkaktuar frikë tek e dëmtuara.

E kështu sipas aktakuzës u njëjti ka kryer veprën penale kanosje.