Kanosje ndaj gjyqtarit dhe prokurorit në rastin e Dejan Pantiç, aktakuzë ndaj 4 personave

Prokuroria Speciale të mërkurën ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave nën dyshimin për kanosje ndaj gjyqtarit Mentor Bajraktari dhe prokurorit Afrim Shefkiu në çështjen penale ndaj Dejan Pantiçit, i akuzuar për sulm ndaj zyrave të KQZ-së në Mitrovicë.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurve me inicialet A. M., E. A., Q. E. dhe E. Z.”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Tutje, ndaj Q. E. dhe E. Z. akuzohen për “Kanosje” kurse të pandehurit A. M. dhe E. A. akzuohen për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit”.

Sipas prokurorisë, kanosja dhe nxitja e përqarjes kishte të bënte me një masë të sigurisë që i’u kishte ndryshuar Dejan Pantiçit.

Dejan Pantiç gjendet në liri që nga 6 shtatori i këtij viti, pasi gjykata i’a kishte ndërruar masën e sigurisë nga arresti shtëpiak në dorëzani në shumë 30 mijë euro.

“Më datën 04.09.2023 nga mbrojtësi i të pandehurit D. P., av. Ljubomir Pantoviq, gjykata ka pranuar kërkesën për zëvendësimin e masës së arrestit shtëpiak me masën e dorëzanisë, ashtu që më datën 05.09.2023 gjykata nga Prokurori i Shtetit nga PSRK ka pranuar parashtresën-pëlqimin me të cilën ka propozuar që masa e arrestit shtëpiak kundër të pandehurit D. P. të zëvendësohet me masën e dorëzanisë… pas deponimit të shumës prej 30,000.00 Euro. Gjykata Themelore Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin numër PPPS.nr.63/22, më datë 06.09.2023 ndaj të pandehurit D. P. ka  aprovuar kërkesën e mbrojtësit, ashtu që ka zëvendësuar masën e arrestit shtëpiak me masën e dorëzanisë”- thuhej në përgjigjen e gjykatës së Prishtinës.

Pantiç pas arrestimit të tij fillimisht ka qëndruar në paraburgim nga 12 dhjetori i vitit 2022, ndërsa më 28 dhjetor të po atij viti kjo masë i ishte zëvendësuar me arrestin shtëpiak.

Ish-zyrtari Policor Dejan Pantiç ishte arrestuar më 10 dhjetor 2022 si i dyshuar për sulm me mjete shpërthyese në zyret e KQZ-së në veri të vendit.

Sulmi kishte ndodhur gjatë kohës kur zyrtarët e KQZ-së po vendoseshin në këto zyre me qëllim të kryerjes së aktiviteteve të tyre për zgjedhjet që ishin planifikuar që të mbaheshin më 18 dhjetor 2022, e që më pas u shtynë për 23 prill 2023.