Nga protesta e djeshme para Kuvendit | Foto KALLXO.com

Deputetet nuk i Ankohen KMDLNj-së

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut njoftoi se monitorues të tij vizituan katër të ndaluarit pas protestës së djeshme dhe seancës së Kuvendit.

Në komunikatën e KMDLNj-së thuhet se dy deputetët e “Vetëvendosjes të arrestuara dje nuk janë ankuar për sjelljet e policisë apo të stafit të Qendrës së Ndalimit në Prishtinë.

“Në Qendrën e Mbajtjes në Prishtinë, KMDLNj takoi të dy deputetet të cilat pohuan nuk kishin vërejtje në sjelljet e policisë gjatë arrestimit të  tyre. Ato nuk patën vërejtje në sjelljet e stafit të Qendrës së Mbajtjes,” thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.

Deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Aida Dërguti u arrestuan të enjten, derisa në Kuvendin e Kosovës pritej të diskutohej dhe votohej për ose kundër marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi e  nënshkruar në Vjenë më 26 gusht 2015.

Sipas KMLDNj-së deputetet kanë pasur vërejtje për mosnjoftimin me të drejtat e tyre gjatë arrestimit.

“Gjithashtu, deputetet pohuan se ato nuk janë njoftuar me të drejtat që u takojnë në momentin e arrestimit. Me të drejtat janë njoftuar vetëm kur kanë mbërritur në qendër të mbajtjes,” vijon shpjegimi i këshillit për vizitën.

Zëdhënësi i Policisë Daut Hoxha i tha dje KALLXO.com se Donika Kadaj-Bujupi u arrestua ngase iu gjet një mjet i dyshimtë që mund të jetë njëlloj spreji, ndërsa edhe nënkryetarja e Kuvendit Aida Dërguti u arrestua më vonë.

http://kallxo.com/arrestohen-dy-deputete-te-vv-se/

KMDLNj-ja bëri të ditur se vizitoi edhe dy të ndaluarit nga policia gjatë protestës së “Vetëvendosjes” para Kuvendit.

Njëri prej tyre sipas komunikatës iu ankua këshillit se një polic e qëlloi me shpullë gjatë arrestimit.

“L. B pohoi se gjatë arrestimit të tij në Sheshin Nënë Tereza, pasi kishte rezistuar të arrestohej njëri nga policët e njësisë speciale i kishte rënë shuplakë, ai pohon se nuk mundet ta identifikojë se cili ka qenë polici,” thuhet në komunikatën e këshillit.

I arrestuari tjetër gjatë protestës nuk është ankuar, sqaron komunikata.

Dje në rend të ditës së seancës së Kuvendit të Kosovës ishte edhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion mes Kosovës e Malit të Zi, por ky projektligj u tërhoq nga Kryeministri Mustafa me arsyetimin se deputetëve po u bëhet presion dhe sipas tij njëri nga grupet parlamentare po kërkon koncesione për të votuar pro.

Në seancën e djeshme munguan deputetët e Listës Serbe, por kreu i grupit parlamentar të këtij subjekti Sllavko Simiq tha sot për KALLXO.com se këta deputetë nuk erdhën në seancë për shkaqe sigurie, e jo pse patën kushte për ta votuar demarkacionin.