Deputeti Danush Ademi në seancë të Kuvendit. Foto: Kallxo.com

Deputetët e Pakicave Kërkojnë Ndihmë për Sëmundjen e Fruthit

Deputeti që përfaqëson komunitetin ashkali në Kuvendin e Kosovës, Danush Ademi, ka folur sot në Kuvend për sëmundjen e Fruthit që është shfaqur së fundi në Kosovë.

Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta shtojë kujdesin për këtë komunitet në Kosovë, pasi që sipas tij janë më të prekurit.

“Kjo sëmundjeje është kaluese dhe ka mundësi që të gjithë qytetarët ti prek. Por pse duhet ta prekin gjithmonë komunitetin tonë dhe familjet e varfra. Kjo është si pasojë e kushteve të rënda ekonomike, te ato familje që shkojnë nëpër kontejnerë për të mbledhur kanaqe. Unë kërkoj nga kjo qeveri që ti hapin sytë dhe ta kthejnë kahjen ka komuniteti jonë, sepse ka mundësi që të kthehet në një epidemi në Kosovë”, u shpreh në Kuvend, deputeti Danush Ademi

Ai ka falënderuar Ministrinë e Shëndetësisë që e ka furnizuar me barëra Klinikën Infektive.

Deputeti Ademi ka kërkuar që gjatë rishikimit të buxhetit që do të bëhet në këtë seancë, t’i kushtohet rëndësi e veçantë komuniteteve.

“Pas kësaj pike do ta kemi buxhetin që do të votohet dhe duhet të kemi kujdes të veçantë për këto komunitete, sepse janë duke mbetur mbrapa sa i përket punësimit e jetesës”, tha në mes tjerash deputeti Ademi

Ndërsa deputeti i komunitetit egjiptian në Kuvendin e Kosovës, Veton Berisha shprehu gatishmëri që t’i ndihmojë institucioneve që të sensibilizojnë opinionin për këtë sëmundje.

“Ky proces duhet të jetë në preventivë. Rastet e tilla janë në rritje, ne duhet të punojmë që të sensibilizojmë familjet e opinionin. Jemi gati të ndihmojmë në çka do që ka nevojë”, tha deputeti Berisha.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë sëmundje, pas është shfaqur këtë vit në Kosovë.

Këtu mund t’i gjeni të gjitha artikujt e shkruar për sëmundjet e fruthit.