Vrasja e Agonis Tetajt, të akuzuarit Cacaj i revokohet pranimi i fajësisë për armëmbajtje pa leje
I akuzuari për vrasjen e Agonis Tetajt në vitin 2018 në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj dhe i akuzuari për armëmbajtjes pa leje, Isuf Cacaj u paraqitën edhe një herë tjetër para Gjykatës së Pejës, për t`u përballur me akuzat që rëndojnë mbi ta.
Në seancën e së enjtes (07.03.2024) parashihej fundi i procesit gjyqësor me dhënien e fjalëve përfundimtare nga Prokuroria, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, gjë e cila nuk ndodhi.
Kjo pasi Gjykata revokoi pranimin e fajësisë nga i akuzuari Isuf Cacaj, që e kishte bërë më 28.09.2023 për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Gjyqtarja Violeta Husaj- Rugova mori vendim për revokimin e pranimit të fajësisë pas dhënies së fjalës përfundimtare të avokatit Veton Berisha që përfaqëson Cacajn.
Veton Berisha gjatë dhënies së fjalës përfundimtare kërkoi që të merret për bazë si rrethanë lehtësuese pranimi i fajësisë nga i akuzuari pasi që i njëjti nuk kishte qenë në dijeni se për armë me gaz duhej të posedonte leje.
“Pranimi i fajësisë i shprehur nga zotëri Cacaj gjatë këtij rigjykimi sikurse edhe në gjykimin e kaluar nuk është bërë sipërfaqësisht e me qëllim të përfitimit të privilegjeve të këtij instituti, por reflekton pendimin e tij të thellë dhe të sinqertë për faktin se ai ka rënë në kundërshtim me ligjin. I mbrojturi im nuk ishte i informuar se për posedimin e armës me gaz, duhej të ishte i pajisur me leje të veçantë të organeve kompetente”- tha në fjalën përfundimtare Veton Berisha.
Pas këtyre fjalëve trupi gjykues kërkoi një sqarim më të hollësishëm nga i akuzuari pasi që ky deklarim i avokatit, se i akuzuari nuk ka qenë në dijeni se duhej të ishte i pajisur me leje të veçantë për të poseduar armë me gaz, thanë që bie në kundërshtim me pranimin e fajësisë të bërë nga ai akuzuari më datë 28.09.2023.
Kështu që i akuzuari Cacaj u deklarua edhe njëherë se e pranon fajësinë për këtë vepër penale, duke thënë se e ka bërë vullnetarisht pranimin e fajësisë.
“Unë e kam pranuar fajësinë e pranoj prapë. Vullnetarisht e kam pranuar, n’momentin që m`u ka ngrit aktakuza e kam kuptuar që është vepër penale arma me gaz edhe tash e pranoj pa asnjë ndikim”- tha Cacaj kur ju kërkua sqarim nga trupi gjykues.
Pas këtij deklarimi dhe pas këshillimit dhe votimit, trupi gjykues me kryetare Violeta Husaj-Rugova, Sami Sharragjiun dhe Shaqë Currin, morën vendim me të cilin ia revokuan pranimin e fajësisë të akuzuarit Cacaj.
Tutje trupi gjykues tha se në seancën e ardhshme do të bëhet administrimi i provave për të akuzuarin Cacaj, do të procedohet dhe me dhënien e mbrojtjes lidhur me këtë vepër penale.
I akuzuari Shaban Gogaj në seancën e 28.09.2023 nuk kishte pranuar të deklarohet lidhur me veprën penale për të cilën akuzohet “Vrasje e rëndë”.
Kujtojmë që Shaban Gogaj në seancën e parë të rigjykimit të mbajtur më 28 shtator të këtij viti, nuk kishte pranuar të deklarohet lidhur me fajësinë për veprën penale – vrasje e rëndë. I akuzuari kishte thënë se po të akuzohej për vrasje nga pakujdesia do ta pranonte fajësinë.
Në këtë proces gjyqësor së bashku me Gogajn i akuzuar është edhe Isuf Cacaj për armëmbajtje pa leje, gjë për të cilën Cacaj kishte pranuar fajësinë.
Shaban Gogaj nga Gjykata e shkallës së parë më 12 tetor të vitit 2022 ishte dënuar me 7 vite e gjysmë dënim me burgim për vrasje nga pakujdesia dhe për armëmbajtje pa leje.
Me këtë vendim Apeli nuk ishte pajtuar duke e kthyer rastin në pikën zero.
Sipas aktakuzës se Prokurorisë, në vitin 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.
Tutje, aktakuza sqaron se Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të rafteve të dyqanit përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.
Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karriga e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë Agonis Tetajn dhe e qëlloi me plumb në kokë, duke e vrarë.
Viktima ishte punëtor në biznesin e të akuzuarit.
Raportimet e KALLXO.com – LINK