Sulmi fizik ndaj të moshuarës, Gjykata e Pejës nuk e aprovon pranimin e fajësisë nga Aurona Pelaj

Sot në Gjykatën e Pejës është mbajtur seanca fillestare e gjykimit për sulmin fizik ndaj të moshuarës M.N. në rezidencën e të moshuarve “Orenda”.

Avokati i të dëmtuarës M.N., Meshari Selimaj, ka thënë se Gjykata vendosi ta zhvillojë seancën të mbyllur për publikun.

“Gjykata në kundërshtim të plotë me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale e mbylli shqyrtimin gjyqësor për publikun dhe në kundërshti të plotë me neve si palë që ishim në fillim të seancës fillestare. Përveç kësaj as nuk dha arsye esenciale në procesverbal për arsyen e mbylljes, edhe pse asnjë rrethanë nuk ekzistoi për t’u mbyllur e njëjta” – ka thënë ai përmes telefonit.

Avokati është shprehur edhe kundër vendimit të Gjykatës për të mos e njohur si përfaqësuese ligjore Zh.N., vajza e M.N.

“Gjykata në Pejë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale nuk ia ka njohur legjitimitetin për përfaqësim në cilësi të përfaqësueses ligjore të të dëmtuarës vajzës së saj, Zh.N., dhe ka caktuar një përfaqësues nga organi i kujdestarisë i QPS-së në Pejë. Duhet të theksohet se kompetenca territoriale i takon QPS në Gjakovë meqenëse e dëmtuara M.N. e ka vendbanimin e përhershëm në Gjakovë dhe jeton te vajza e saj, dhe organi i kujdestarisë është dashur që në bazë të ligjit fillimisht të kontaktojë me fëmijët e M.N. për kujdestari të përkohshme dhe jo ta caktojë veten” – ka shpjeguar mëtej ai.

Avokati Selimaj ka shfaqur rezerva edhe rreth vlerësimit të paaftësisë mendore të M.N.

“Edhe pse është fakt se e dëmtuara M.N. vuan nga sëmundja e paaftësisë mendore, Gjykata në seancën e sotme e ka ftuar ekspertin psikiatër i cili i vetëm e kishte ekzaminuar në nëntor të vitit 2022 të dëmtuarën, dhe për Gjykatën mjaftoi që të fitojë bindjen se ekziston paaftësia mendore tek e njëjta ani pse ekspertiza ishte bërë para 1 viti dhe eksperti psikiatrik nuk kishte ndonjë të dhënë për gjendjen e saj tash e një vit” – është shprehur avokati.

Lidhur me seancën e sotme Kallxo.com ka tentuar ta kontaktojë Veton Berishën, avokat i Aurona Pelajt, por ai nuk ishte i qasshëm në telefon.

Blerim Ademaj, avokat i të akuzuarës Altina Rexhepi, i pyetur lidhur me rastin ka treguar shkurt vetëm se klientja e tij nuk e ka pranuar fajësinë.

Avokati i Remzie Kuqit, Faruk Binakaj, ka thënë se mbyllja e seancës ka ardhur pasi Gjykata ka marrë mendimin e të gjitha palëve.

“Gjykata pas dëgjimit të të gjitha palëve lidhur me mbylljen e seancës ka vendosur që të mbyllet seanca nga bindja e lirë e gjykatës, duke i vlerësuar të gjitha rrethanat dhe jemi të detyruar që të gjithë të respektojmë vendimin për mbyllje seancës” – tha avokati.

Ai ka treguar se klientja e tij nuk e ka pranuar fajësinë.

“ E mbrojtura ime, Remzie Kuqi, nuk e ka pranuar fajësinë” – shtoi avokati Binakaj.

Ai ka thënë se Aurona Pelajt nuk i është pranuar pranimi i fajësisë.

“Aurona Pelaj e ka pranu fajësinë por Gjykata ia ka kundërshtu pranimin e fajësisë sepse vepra ka qenë në bashkëkryerje” – ka përfunduar Faruk Binakaj.

Viktimë e kësaj dhune ishte M.N., e cila po qëndronte në rezidencën për të moshuar “Orenda”.

Fillimisht Gjykata e Pejës e pati aprovuar kërkesën e Prokurorisë për paraburgim ndaj tri të dyshuarave, por më tutje Gjykata Supreme e aprovoi kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtësit të të dyshuarës Rexhepi, avokatit Blerim Ademaj, duke vendosur ashtu që të pandehurave t’u ndërpritet menjëherë masa e paraburgimit dhe të njëjtat të lëshohen për t’u mbrojtur në liri.

Pas publikimit të sulmit fizik, Njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale kishte bërë inspektimin e menjëhershëm të vendit të ngjarjes si dhe intervistimin e stafit të qendrës dhe dëshmitarëve të rastit.

Me përmbylljen e raportit të inspektimit, i njëjti i ishte dorëzuar Komisionit Licencues, i cili pas një takimi urgjent kishte marrë vendim që subjektit “Orenda” t’i revokohet licenca për ofrimin e shërbimeve sociale. Kështu pronarët dorëzuan licencën dhe mbyllën aktivitetin e kësaj qendre.

Sjellja e cilësuar si jo vetëm joprofesionale por edhe çnjerëzore u kushtoi me humbjen e të drejtës për ushtrimin e profesionit tri të dyshuarave pasi në nëntor të vitit të kaluar Oda e Infermierëve të Kosovës ua revokoi licencat në profilet përkatëse si dhe i fshiu nga regjistri i OIK për profesionistët shëndetësorë.