Demarkacionet Shpërblim i Kosovës ndaj Fqinjëve

Në Emisionin “Jeta në Kosovë” për herë të parë pranon edhe një zyrtar i PDK-së që marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi është diçka e keqe dhe që tashmë ajo marrëveshje është jovalide pa u ratifikuar në Kuvend.

Xhavit Haliti, njëri nga figurat kryesore të PDK-së, njëherëësh nënkryetar i Kuvendit të Kosovë ka thënë mbrëmë në JnK se kjo marrëveshje duhet të ratifikohet në Kuvend që të jetë valide.

E tëra ishte iniciuar kur deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu tha se edhe tokat e Xhavit Halitit janë prekur nga kjo marrëveshje për demarkacionin.

“A e dini mirë ju dhe a ju ka pyet juve dikush, pikërisht për atë çështje ku kufini ka ardhur pikërisht në fshatin e juaj,” tha Haxhiu në debatin “Jeta në Kosovë”.

Por ndryshe mendon për këtë gjë Xhavit Haliti nga PDK-ja.

“As një milimetër nuk është shkelë, sa i përket pjesës së Rusolisë ku e kam unë bjeshkën, problem është që ka prek, sipas disave, një pjesë… nuk pajtohem unë, por kufini në bazë të konstatimeve të mia, sepse unë kam shku gjithkund ku është mendu që është shkel kufini, sepse ka ankesa të qytetarëve, unë nuk jam specialist,” tha Haliti.

Haliti në “Jeta në Kosovë” tha se ka shkelje të demarkacionit me Malin e Zi, por që ende kjo marrëveshje nuk është valide.

“Sipas atyre që e kanë njoftë  kufirin po, se ka pasë edhe protesta në fshatin tim, edhe në Radavc, Jabllanicë të vogël, Novosellë … marrëveshja nuk është valide, nuk është ratifiku në Kuvend të Kosovës,” tha Haliti.

Në anën tjetër nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në debatin “Jeta në Kosovë” tha se problem kryesor i Kosovës do të jetë demarkacioni me Serbinë.

Sipas tij Kuvendi i Kosovës ka falur tokë kur ka qenë në pyetje pavarësia e vendit.

“ Qiky Kuvend i Kosovës e ka votu humbjen e 1800 kilometrave katrorë të territorit të Kosovës karshi kufirit me Maqedoninë me vota të saja për me e ble Pavarësinë e Kosovës nga një shtet fqinj dhe sot ai territor nuk përmendet, është ratifiku në të gjitha instancat dhe përmendet diçka që nuk është kryer hala, është komplet kurrizi i vargmaleve të Karadakut që  ka hy si marrëveshje dhe që është votu në Kuvend,” tha Haziri.

Ndërsa në lidhje me demarkacionin me Malin e Zi, ende ka dilema të mëdha se a i është falur tokë këtij shteti fqinj ose jo.

Por problemin më të madh ai e sheh kur të vijë puna e zgjidhjes së demarkacionit me Serbinë.

“Për mu shumë e rëndësishme është demarkimi i tokës me Republikën e Serbisë në të ardhmen, aty është problem kryesor, sepse kur të vijë koha aty ka mundësi Kosova me e përmirësu këtë raport dhe me i zgjidhë problemet, sepse problemet me Serbinë janë territoriale dhe nuk janë probleme të tjera dhe problemet me Serbinë nuk janë në rend tash me u bo përcaktimi i vijës kufitare,” tha Haziri.

Për demarkacionin me Serbinë më 1 dhjetor të vitit 2015 ministrja e Kosovës për Dialog Edita Tahiri kishte thënë për KALLXO.com se Kosova shumë shpejt do ta kërkojë hapjen e temës me Serbinë në Bruksel, për demarkacionin e dy vendeve.

Por një gjë e tillë u pa me shumë dyshime si nga ana e analistëve, ashtu edhe nga pala serbe, e cila ka thënë se nuk dëshiron as të diskutohet për këtë temë.

http://kallxo.com/nje-demarkacion-i-ri-pa-u-kryer-i-vjetri/

http://kallxo.com/kosova-e-do-demarkacionin-me-serbine-ne-2016/

http://kallxo.com/xhavit-haliti-qeveria-te-reflektoje-pas-vendimit-te-kushtetueses/

[interaction id=”56e29ff9251215382ebfa7e6″]