Shkumbin Demaliaj, AAK

Demaliaj: Asnjë qytetar i Kosovës nuk ka ikur në mënyrë ilegale

Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, gjatë seancës së jashtëzakonshme për ikjen e të rinjve nga vendi, ka thënë se asnjë qytetar i Kosovës gjatë kësaj qeverisjeje nuk ka ikur në mënyrë ilegale.

“Ne kur flasim për ikjen që po flitet, nuk po ik askush, po shkojnë e po vijnë. Kemi pasur rastin në vitin 2015, por në kohën e kësaj qeverisje po shkojnë në mënyrë të ligjshme. Agjendat ruse edhe serbe po edhe të lindjes nuk duhet të jenë kauza në Republikën e Kosovës sot. Edhe për me e nxerrë një pasqyrë sot para opinionit ndërkombëtar se neve jemi qytetarë që vetëm lëvizim e migrojmë. Sot asnjë qytetar sa është koha e kësaj qeverisje nuk ka dalë në mënyrë ilegale jashtë Republikës së Kosovës”, ka thënë Demaliaj.

Ai gjithashtu ka kritikuar edhe partinë opozitare Vetëvendosjen, duke thënë se nëse ata do të ishin në Qeveri, në javën e dytë të qeverisjes do të kërkonin rrëzimin e “Qeverisë së Albin Kurtit”.

“Bile kur flasin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, fjalën e parë e kanë rrëzimin e Qeverisë, ma ka marrë mendja se si janë të programuar këta njerëz, vetë nesër me qenë në Qeveri Albin Kurti, javën e dytë të qeverisjes kanë me thënë ta rrëzojmë Qeverinë Kurti. Ashtu e kanë programin, nuk pasqyrojnë asgjë objektive, mirëpo vetëm anën e errët të medaljes. E dijmë se ka gabime në çdo qeverisje, mirëpo me qenë njerëzit kështu, vetëm terr e zi me fol për vendin e vet, me këtë subjekt satelit apo planetar qysh e thanë edhe vetë, mundet me ndodhë në Kosovë”, ka deklaruar deputeti i AAK-së.