Trim Gashi pas lirimit | Foto: KALLXO.com

Deklaratat e Mustafës ma Zgjasnin Paraburgimin

Gashi tregoi për KALLXO.com në lidhje me trajtimin në qendrat e paraburgimit në Prishtinë e Lipjan, për përmendjen e emrit të tij nëpër medie, besimin në sistemin e drejtësisë dhe vazhdimin e aktivitetit brenda Lëvizjes “Vetëvendosje”.

“Është e vërtetë që kam ndejt afër pesë muaj në burg. Trajtimi ka qenë shumë i mirë dhe më kanë trajtuar si të gjithë të burgosurit e tjerë,” tha Gashi.

Gashi rrëfeu se edhe nga burgu i ndiqte lajmet dhe varësisht se kush e përmendte ndiente motiv ose pasoja.

“Kur më kanë përmendur aktivistët e Vetëvendosjes ai ka qenë motiv për mua. Sa herë ka dalë me deklarata Isa Mustafa, mua mu ka vazhduar paraburgimi, ose mu ka ngritur aktakuza,” tha Gashi.

Aktakuza ndaj Gashit për tentim-sulm të makinave që shoqërojnë lëvizjet e Mustafës u ngrit dy javë pasi eskorta e Kryeministrit u sulmua me ngjyrë të kuqe më 9 shtator të vitit të kaluar.

“Aktiviteti kur është gjuajtur Isa Mustafa me ngjyrë ka qenë aktivitet politik i Lëvizjes ‘Vetëvendosje’. Kurse kur më është ngritur aktakuza ka qenë e padrejtë ndaj meje, sepse ‘Vetëvendosja’ është distancuar nga ky aktivitet dhe unë nuk kam të bëjë asgjë me këtë aktivitet,” tha Gashi.

Ndërsa deklaratën e Bajram Gecajt se Trim Gashi ka dashur të bëjë atentat kundër Kryeministrit, ai e quan shpifje të ulët. Bajram Gecaj është zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, ndërsa ishte cak i sulmit me vezë nga aktivistë të “Vetëvendosjes” më 19 tetor 2015.

Kur u tentua sulmi në eskortën e Kryeministrit më 23 shtator 2015, Policia në oborrin e qeverisë ekspozoi disa mjete të metalta për shpim gomash që tha se u ranë sulmuesve gjatë ikjes.

“Këto copëza të hekurit që po i përmendni nuk kanë të bëjnë asgjë më mua. Është punë e policisë me gjet se kush e ka bo,” tha ai.

Gashi foli mirë për vendimin e gjykatës.

“Arrestimet që na kanë ndodhur mua dhe bashkaktivistëve kanë qenë të dirigjuara nga pushteti. Në rastin tim gjykata ka qenë e drejtë,” tha Gashi.

Ai vizitën e parë pas lirimit tha se e bëri në selinë e “Vetëvendosjes”, ndërsa konfirmoi pjesëmarrjen në protestën opozitare të 26 marsit.

“Sot pasi u mur vendimi në gjykatë unë menjëherë nga gjykata erdha në Lëvizjen ‘Vetëvendosje’ për të takuar bashkaktivistët e mi, për t’i falënderuar për motivin që ma kanë  dhënë gjatë qëndrimit në paraburgim dhe natyrisht që angazhimi im nuk do të ndalet,” tha Gashi. [interaction id=”56e334a3518248f65e768f25″]