Xhavit Haliti e Anton Quni

Debati Xhavit Haliti - Anton Quni për 8 milionë markat e luftës

Për herë të dytë brenda një seance u përplasën Xhavit Haliti dhe Anton Quni, për 8 milion marka që ky i fundit pretendon që Haliti i ka marrë dhe për të cilat tha se ka sjellë dëshmi.

Deputeti i LDK-së, Anton Quni dhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti sërish u përballën me njëri-tjetrin për çështjen e shpenzimeve të fondeve të shqiptarëve të Kosovës gjatë kohës së luftës së viteve 1998-1999, që mblidheshin kryesisht nga kontributi i shqiptarëve të diasporës.

Haliti i kërkoi Qunit që t’u thotë mediave se nuk ka sjellë dëshmi, dhe se “po manipulon”.

“Nuk e kuptoj pse e shfaqni këtë nervozë?”, e pyeti Quni.

“E shfaqa se po i shoh portalet, s’ka portal që nuk thotë që e dorëzoi Anton Quni që Xhaviti i ka marr 8 milion marka”, ia ktheu Haliti.

Ndërsa Quni tha se i ka disa nga dëshmitë, ngase nuk ka arritur t’i sigurojë të gjitha.

“Është vula e Ministrisë të Mbrojtjes, numri i protokollit, dëshmitarët..”, tha ai.

“A janë 8 milionë marka?”, pyeti Haliti.

“Janë më shumë se 8 milionë marka që Qeveria i ka nda për shtabin e përgjithshëm të UCK-së”, u përgjigj Quni.

Haliti i tha Qunit se po gënjen, ngase ai nuk ka nënshkruar asnjë dokument.

“Ke rrejt at ditë e po rren edhe sot. Unë nuk kam nënshkru dokument, se s’kam nënshkru me pseudonim kurrë. Jap llogari vetëm për pjesën që e kam nënshkru. Dëshmi për 8 milion markat e firmosura nga unë nuk ke sjellë”, tha ai.

http://kallxo.com/anton-quni-dhe-xhavit-haliti-serish-perplasen-per-parate-e-luftes/