Nesër pritet të votohet në Kuvend për komisionerin e FSK-së, këta janë kandidatët

Në rend dite të seancës plenare të Kuvendit të Kosovës që mbahet nesër është edhe zgjedhja e komisionerit parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Nga gjashtë kandidatët që kandiduan për t’u zgjedhur në këtë pozitë, tre prej tyre u selektuan dhe do të presin rezultatin e votave të deputetëve të Kosovës.

Sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, tre kandidatët për komisioner janë: Sami Hajrullahu, Remzije Zeqiri dhe Fadil Hadërgjonaj.

“Kandidatët e selektuar janë Sami Hajrullahu, Remzije Zeqiri dhe Fadil Hadërgjonaj” – tha Dugolli, i cili është edhe zëvendëskryetari i parë i Komisionit për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes.

Deputeti tregoi se në fillim kishin gjashtë kandidatë, mirëpo në proceset e mëtejshme morën pjesë vetëm pesë prej tyre pasi njëri nuk i plotësoi kushtet formale.

“Kanë aplikuar gjashtë, një s’i ka plotësuar kushtet formale, ndërsa tre të tjerë kanë dalë si rezultat i poentimit edhe rezultateve në intervistë, edhe në procese të tjera” – tha ai për KALLXO.com.

Dugolli gjithashtu tha se nesër pritet që të përfundojë ky proces dhe përfundimisht të zgjidhet një nga kandidatët.

Çështja e zgjedhjes së komisionerit kishte dështuar herën e parë në Kuvendin e Kosovës, e deputeti i LVV-së ka shpresa që diçka e tillë të mos ndodhë prapë.

“Procesi i votimit nesër është në seancë, deputetët më pas vendosin sipas bindjeve. Procesi herën e parë ka dështuar pasi asnjë kandidat nuk i ka marrë votat e mjaftueshme, mirëpo kjo nuk nënkupton që tani do të dështojë prapë” – tha Dugolli.

KALLXO.com kontaktoi edhe me anëtarin tjetër të Komisionit parlamentar, Rashit Qalajn.

Ky i fundit është deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Ai shpreson se njëri nga kandidatët do të zgjidhet nesër, pasi, sipas tij, njëri nga tre kandidatët ka përkrahje nga partia në pozitë.

“Besoj që votohet, pasi njëri prej kandidatëve përkrahet mjaft shumë nga partia e pozitës, LVV” – u shpreh Qalaj.

Për zgjedhjen e komisionerit u kontaktua edhe kryetari i Komisionit, Bekë Berisha, i cili është deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Berisha tha se grupi parlamentar i AAK-së do të votojë por nuk e di se a do të ndodhë njëjtë edhe me partitë e tjera politike.

“Shpresat janë gjithmonë që do të zgjidhet nesër, por nuk dihet qysh kanë m’e vendosë grupet parlamentare. Ne jemi në opozitë. Janë pesë parti politike që kanë m’e vendosë qysh e si, mazhoranca e ka në dorë ma shumë” – u shpreh Berisha.

Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, i cili po ashtu është anëtar në Komisionit, beson që procesi i zgjedhjes së komisionerit të FSK-së do të mbyllet nesër.

“Po, besoj që po. Është në diskrecionin e partive politike dhe deputetëve që nesër ta votojnë njërin prej kandidatëve” – tha Quni.

Quni pati kritikuar ashpër deputetët pas dështimit të zgjedhjes së komisionerit në seancën parlamentare të 4 tetorit 2023.

Asokohe dy kandidatët, Fadil Hadërgjonaj e Fetah Zejnullahu, nuk arritën të marrin votat e deputetëve në të dy rundet e votimit.

Në rundin e parë, Hadërgjonaj kishte marrë 27 vota, ndërsa Zejnullahu 11 vota, kurse 41 vota ishin të pavlefshme.

Në rundin e dytë 37 vota ishin të pavlefshme, e Hadërgjonaj mori 24 vota ndërsa Zejnullahu 6 vota.

Kryetari i Kuvendit kishte thënë që votat që kanë marrë dy kandidatët janë të pavlefshme andaj konkursi duhet të përsëritet brenda 60 ditëve.

Jeni vetë të pavlefshëm” – u kishte thënë Quni kolegëve të tij, deputetëve, që fletëvotimet i bënë të pavlefshme gjatë votimit për zgjedhjen e komisionerit të FSK-së.

Komisioneri, bazuar në ligj, ndër të tjera e ka autoritetin që të trajtojë ankesa dhe të kërkojë informata dhe qasje në të dhënat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Kushdo që zgjidhet në këtë pozitë ka të drejtën të “kërkojë informata dhe qasje në institucione të tjera në lidhje me pjesëtarin e FSK-së; të thërras= në dëgjim, apo të intervistojë ankuesin, dëshmitarët, apo palët e tjera të përfshira në proces të ankesës; të kërkojë mbështetje me ekspertizë nga ekspertët; të procedojë tek organet përgjegjëse dosjen e një çështjeje penale apo disiplinore në rastet e dyshimta për shkelje  të legjislacionit në fuqi; si dhe t’i vizitojë Ministrinë e Mbrojtjes dhe njësitet e FSK-së, në çdo kohë, me dhe pa paralajmërim”.

Sipas Ligjit, komisionari zgjidhet me votim të fshehtë nga Kuvendi i Kosovës, me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit të pranishëm dhe që votojnë. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën e nevojshme në votimin e parë, organizohet votimi i dytë, në mes të dy kandidatëve, të cilët kanë marrë numrin më të madh të votave në votimin e parë. Nëse në votimin e dytë asnjëri nga kandidatët nuk zgjidhet, Kuvendi në afat prej 60 ditësh duhet të shpallë sërish konkursin për komisioner.

Kuvendi dështon ta zgjedh komisionerin për FSK-në, përsëritet konkursi

www.kallxo.com