Policia e Kosovës në një operacion të mëhershëm - Foto: KALLXO.com

Dalin Para Gjykatës Katër të Dyshuarit për Terrorizëm

Katër personat që u arrestuan gjatë aksionit të Policisë së Kosovës të martën dolën sot para gjyqtarit të procedurës paraprake për caktimin e masës së sigurisë.

Prokurorja e rastit, Merita Bina-Rugova, ka kërkuar masën e paraburgimit për të arrestuarit XH.T., M.SH., B.P. dhe A.S.

Prokuroria thotë se të dyshuarit sipas udhëzimeve të ish-udhëheqësit të shqiptarëve në Siri, Lavdrim Muhaxheri, gjatë muajve shtator-tetor 2016 kishin planifikuar sulme terroriste në Kosovë, por edhe në vende të tjera të Ballkanit.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kishin cak te sulmit institucionet ndërkombëtare dhe institucionet e sigurisë, me qëllim që duke luftuar seriozisht të frikësojnë popullsinë, të destabilizojnë vendin dhe të shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale te shteteve të ndryshme, e pastaj në territorin tyre të krijojnë “Shtetin Islamik”.

Prokurorja e rastit dje kishte paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe nga gjyqtari i procedurës paraprake ka kërkuar që ta aprovojë kërkesën e saj.

Për këtë çështje Gjykata nesër merr vendim.

Katër personat e arrestuar të martën janë pjesë e grupit edhe prej 10 personave të tjerë, të cilët janë arrestuar ditëve të fundit nën dyshimin se kanë marrë udhëzime nga lideri i luftëtarëve shqiptarë të ISIS-it për të kryer sulme terroriste në Kosovë dhe në vendet fqinje.

Ndaj 10 të arrestuarve të tjerë Gjykata tashmë ka caktuar masën e paraburgimit.

http://kallxo.com/paraburgim-te-udhezuarve-nga-lavdrim-muhaxheri/