Shyqiri Bytyqi - Foto: KALLXO.com

Bytyqi rrit shumën e bursës për studentët doktorantë jashtë vendit

Pas rritjes se buxhetit për bursat e studentëve që vijojnë studimet në universitetet publike, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka njoftuar se ka marrë një vendim të tillë edhe për studentët që janë në studime të doktoratës në universitetet ndërkombëtare.

Bytyqi përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook” tha se do të ketë rritje nga 2.500 euro në 7.500 euro.

“Për dallim nga vitet paraprake, ku kjo kategori e studentëve ka përfituar bursë në vlerë 2.500 euro dhe numri i përfituesve ka qenë shumë i vogël, këtë vit jemi në një situatë krejt tjetër, ku të gjithë studentëve të cilët janë duke vazhduar studimet e doktoratës në mesin e 500 universiteteve më kredibile në botë dhe janë studentë të rregullt në këto universitete, ju kemi ndarë bursa në vlerë 7.500 euro”, ka shkruar Bytyqi.

Ai ka shtuar se ky vendim ka ardhur pasi është duke u munduar t’i dalë zot premtimeve të tij.

“Për të bërë ndryshime pozitive e kam parë që duhet të ndërmarr disa politika që prodhojnë rezultate pozitive, e në mesin e tyre janë edhe politikat në arsimin e lartë, me fokus të veçantë zotimet e mija për mbështetjen e studentëve të dalluar përmes bursave të dinjitetshme. Në funksion të kësaj, MAShT ka ndarë bursa për të gjithë studentët e Republikës së Kosovës të cilët vijojnë studimet e doktoratës në mesin e 500 universiteteve më të mira në botë”, tha Bytyqi.

Ministria tutje tha se angazhimi i tij për të mbështetur studentët asnjëherë nuk do të ndalet, “madje viti 2019 do të jetë vit i realizimit të zotimeve tona”.