Klasa mësimore, ilustrim
‘Patatja e nxehtë’ – Kontrata kolektive ua merr komunave mbi 26 milionë euro në 2024
Kontrata kolektive e lidhur mes Ministrisë së Arsimit dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës po u shkakton probleme financiare komunave të Kosovës.
Pavarësisht se nuk janë pjesëmarrës në nënshkrimin e marrëveshjes, obligimet financiare të kësaj kontrate, për arsimin parauniversitar po detyrohen që t’i mbulojnë komunat.
Kontrata kolektive e nënshkruar në janar të vitit 2021 mes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së asaj kohe dhe SBASHK-ut ka për qëllim përcaktimin e të drejtave dhe obligimeve të të punësuarve, punëdhënësit dhe nënshkruesve të kontratës, në arsimin universitar dhe parauniversitar.
Obligimet financiare që dalin nga kjo kontratë janë: Punëtorëve arsimor u paguhet 70% e pagesës së trafikut urban për shpenzimet e rrugës; shtesa për përvojë pune, 0.5% e pagës bazë për çdo vit të plotë të përvojës së punës; kompensimi për ushqim për ditët e pranisë në punë – 2 euro në ditë; paga jubilare, çdo 10 vjet; paga përcjellëse për punëtorët që dalin në pension; për çdo vit shkalla e inflacionit përcillet dhe përqindja futet në pagë; punëtorët(anëtarë të SBASHK-ut) në fund të vitit u jepet shpërblim 8.3% e pagës vjetore kumulative, nga momenti që sigurohen mjetet financiare.
Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës thotë se mbi 26 milionë euro e buxhetit të komunave do të shkoj për kontrata kolektive gjatë vitit 2024.
“Pa i llogaritë taksat e përmbaruesit dhe Gjykatave kanë me shku shumë miliona euro. Zakonisht po merren paratë e investimeve kapitale. Përmbi 26 milionë është shifra në bazë të kalkulimeve që i kanë bërë drejtorët e financave, por nuk do të thotë se 26 është pika, munden me ju marr edhe më shumë”, deklaroi Ibrahimi.
Këtë problematikë, Asociacioni e ka ngrit edhe në komisionin e granteve. Ibrahimi tregon se mbi 26 komuna kanë dërguar lëndë në gjykatë për rimbursim por që nga Gjykata Komerciale ende nuk ka vendim.
“Ata (Qeveria) i dinë problemet, nuk janë probleme të sotme këtu. Janë disa komuna që kanë bërë marrëveshje që me i pagu obligimet që dalin nga kontrata kolektive me këste por përsëri komunave kanë me ju marr paret padrejtësisht sepse kontratat nuk i kanë nënshkru komunat. Komunat kanë me mbet pa projekte kapitale” – shtoi Ibrahimi.
Ai shton se komunat shpresojnë që në fillim të vitit të ardhshëm Komisioni i Granteve që buxhetoj për këto obligime.
Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës thotë se problematike mbetet mospagesa me kohë e obligimeve për ngritje profesionale.
“Kjo çështje është e bazuar në një vendim të Qeverisë të vitit 2008 dhe nga ajo kohë nuk është përcjell në ngritjen e pagave dhe tani kolegët tanë duke u bazuar në kontratën e kaluar kolektive kanë dërguar lëndë në Gjykata”, deklaroi Jasharaj.
Ndonëse thotë se e di që këto obligime po u bien komunave, Jasharaj thotë se shumica e mësimdhënësve po i fitojnë betejat ligjore.
“Nuk mund të them saktë se sa mund të ngarkohet buxheti i një komune por do të jetë ngarkesë goxha e madhe dhe komunat duhet ta ngritin çështjen tek Ministria e Financave sepse kontrata është nënshkruar nga MASHTI dhe SBASHK-u por që kontrata e precizon që obligimet u takojnë punëdhënësve që në arsimin parauniversitar punëdhënës janë komunat. Po të kryheshin obligimet me kohë nuk ishin këto ngarkesa që i kanë tani” – shtoi Jasharaj.
Të gjithë mësimdhënësit e sidomos ata anëtarë të SBASHK-ut sipas Jasharajt i kanë shfrytëzuar benefitet që dalin nga kontrata kolektive dhe i janë drejtuar Gjykatave, ai tregon se shumë nga rastet tani janë për ngritjen profesionale.
Kryetari i Komunës së Lipjanit, njëherit nënkryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Imri Ahmeti thotë se nëse jo në vitin 2024, në vitet e ardhshme kjo problematikë do jetë mjaft e madhe.
“Kostoja financiare është vështirë e parashikueshme sepse varet nga verdikti final i gjykatës sepse shumica e lëndëve janë akoma në gjykata. Pritjet tona janë që kjo situatë mund të na bllokoj jo vetëm komunën tonë por shumicën e komunave për shkak të obligimeve të mëdha. Këto obligime nuk janë të parapara me projeksionet buxhetore as të Qeverisë e as komunat nuk janë leju me pas projeksion buxhetor” – deklaroi Ahmeti.
Nëse përmbarohen vendimet e gjykatave, Ahmeti thotë se kjo situatë do i bllokoj komunat.
“Në çdo takim që e kemi me Ministrinë e kemi bisedu këtë çështje. Edhe si Asociacion edhe si kryetarë e kemi shtru këtë temë në tavolinën e bisedimeve, ka edhe kërkesa me shkrim që janë adresu që disa vite rresht, jo vetëm këtë vit. Në anën tjetër, nuk kemi gjet asnjë zgjidhje për këtë situatë. Nuk e ka marrë parasysh as kjo Qeveri këtë situatë dhe po presim se si do të ndodhë” – shtoi Ahmeti.
Ahmeti thotë se punëtorët e arsimit nuk janë fajtorë teksa shton se qeveria duhet të gjej zgjidhje sepse sa më shumë po prolongohet kjo çështje, problemet po rriten.
Sipas një mendimi juridik të Gjykatës Supreme të Kosovës të muajit tetor 2023, mësimdhënësit kompensohen mbi bazë të kualifikimit sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës të vitit 2008.
KALLXO.com ka kontaktuar me ish-ministrin e Arsimit Ramë Likaj i cili është nënshkrues i kontratës kolektive të vitit 2021.
Likaj thotë se që nga momenti që ka lëshuar pozitën e Ministrit më nuk deklarohet për këto çështje, megjithatë ai thotë se në kontratë ka qenë një pasus që thotë se nëse ka fonde, implementimi fillon në vitin 2023.
Neni 45 i kontratës kolektive, paragrafi i parë thotë: MASH, SBASHK dhe Ministria e Financave, angazhohen bashkërisht për t’i informuar dhe ndihmuar komunat, këshillat drejtuese të universiteteve dhe drejtoritë e shtëpive të studentëve që të bëjnë planifikimin me kohë të buxhetit dhe kostos financiare për zbatimin e dispozitave të nenit 35, paragrafët 5, 7 dhe 11 kur të krijohen mundësitë financiare në buxhetin e Republikës së Kosovës, por jo më vonë se viti 2023.
Paragrafët e përmendur në këtë paragraf të nenit 45 janë për pagesën e udhëtimit, kompensimin e ushqimit dhe shpërblimi prej 8.3% e pagës kumulative vjetore.
KALLXO.com ka tentuar që të marr një qëndrim nga zëvendësministri i Financave Agon Dobruna por që ai nuk u lajmërua në telefon e as në shkrimin dërguar atij. Njëjtë, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nga Ministria e Financave nuk janë përgjigjur në pyetjet drejtuar me email.
Kontrata kolektive e Arsimit – 2021.