Shyqiri Bytyqi në takimin e nivelit të lartë për arsim

Ministri njofton se do të ndahen 681 bursa për studentët

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka marrë vendim që të ndajë 681 bursa për studentët që vijojnë studimet në universitetet publike.

“Në bazë të Udhëzimit Administrativ për ndarjen e bursave dhe në bazë të raportit të komisionit të veçantë vlerësues për bursat, kam marrë vendim për ndarjen e bursave për 681 studentë meritorë nga të gjitha institucionet e arsimit të lartë publik në Kosovë”, ka njoftuar Bytyqi përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”.

Ai po ashtu ka thënë se me kërkesë të tij është rritur edhe buxheti për këto bursa nga 200 mijë euro në 600 mijë dhe se shuma e bursës do të jetë 880 euro.

“Që në fillim të mandatit tim si ministër i Arsimit, kam kërkuar të rritet buxheti për bursat e studentëve dhe si rezultat i këtij përkushtimi tashmë jemi në një moment shumë më të mirë. Me kërkesën time buxheti për bursat është rritur nga 200 mijë në 600 mijë euro dhe studentët meritorë tashmë marrin një bursë të dinjitetshme në vlerë prej 880 euro”, ka shtuar Bytyqi.