Më shumë vajza studente, por më shumë burra profesorë
Diploma e fakultetit është ajo që kërkohet në shumë konkurse në punë, jo vetëm në Kosovë por edhe në vende tjera.
Mundësitë më të mira për punësim e ngritja akademike janë disa prej arsyeve që të rinjtë pas përfundimit të shkollës së mesme ia mësyjnë Universitetit.
Në bazë të regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë(2011), në vendin tonë ka më shumë banorë të gjinisë mashkullore se të asaj femërore.
Megjithatë e njëjta nuk pasqyrohet edhe tek numri i studentëve në universitetet publike.
Në pjesën dërrmuese të tyre, mbizotërojnë gratë dhe vajzat si studente.
Për dallim, pjesa më e madhe e stafit akademik të këtyre universiteteve mbizotërohet nga burrat.
Universiteti i Prishtinës ka 24 mijë e 889 studentë aktivë. Prej tyre 68% janë të gjinisë femërore apo 16 mijë e 988 prej tyre kurse 7 mijë e 901 janë meshkuj apo afër 32%.
Stafi akademik ka strukturë tjetër gjinore për dallim nga studentët e këtij Universiteti.
Universiteti i Prishtinës ka 935 të punësuar si staf akademik, prej tyre 579 burra dhe 356 gra.
Ngjashëm edhe në Universitetin e Prizrenit nga 2 mijë e 829 studentë, 2 mijë e 2 janë vajza e gra kurse 827 janë burra dhe djem.
Ky Universitet ka të punësuar 86 persona si pjesë e stafit akademik, 59 nga ta burra dhe 27 femra.
Dallim të madh nuk ka as Universiteti i Gjakovës, në këtë Universitet janë 3 mijë e 120 studentë, prej tyre 2 mijë e 351 vajza e gra kurse 769 janë djem dhe burra. Stafi akademik i këtij Universiteti përbëhet nga 69 persona, prej tyre 34 gra dhe 35 burra.
4 mijë e 91 studentë i ka Universiteti i Pejës, 2 mijë e 70 studentë janë djem e burra, kurse 2 mijë e 21 janë vajza dhe gra.
Ky Universitet ka 160 të punësuar si staf akademik, prej tyre 102 burra dhe 58 gra.
Edhe Universiteti i Mitrovicës prej statistikave të studentëve, mbizotërohet nga vajzat dhe gratë me 1 mijë e 391 nga numri i përgjithshëm i studentëve prej 1 mijë e 912. Vetëm 521 studentë të këtij Universiteti janë djem dhe burra.
Për dallim, numri i stafit akademik prej 103 personave mbizotërohet nga burrat. Nga këta 103 persona, 68 janë burra kurse 35 janë gra.
Nga Universiteti i Gjilanit “Kadri Zeka” kanë dërguar numrin e studentëve të regjistruar aty që nga viti akademik 2013/14 deri në vitin akademik 2023/24.
Nga këto statistika del se ky Universitet ka 9 mijë e 221 studentë, prej tyre 5 mijë e 475 vajza e gra dhe 3 mijë e 746 djem e burra.
45 persona janë të punësuar si staf akademik në Universitetin e Gjilanit, nga ta 15 janë gra dhe 30 janë burra.
1 mijë e 232 studentë ka Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj. Prej tyre 798 vajza e gra dhe 434 burra e djem.
Stafi akademik i këtij Universiteti Publik përbëhet nga 46 persona, 33 burra dhe 13 gra.
Akademia e Kosovës për Siguri Publike ka 65 studentë, 12 vajza e gra dhe 53 burra e djem.
Kjo Akademi ka të punësuar gjashtë persona si staf akademik, katër burra dhe dy gra.
Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit në Mitrovicë ka 676 studentë, prej tyre 345 vajza e gra dhe 331 janë djem e burra.
Ky Kolegj ka të punësuar 33 persona si staf akademik, 21 burra dhe 12 gra.
Buxheti i të gjithë këtyre institucioneve të arsimit universitar së bashku për vitin 2024 sipas Ligjit për Buxhetin shkon në 55 milionë e 536 mijë e 3 euro.
Universiteti i Prishtinës, në vitin 2024 do ketë buxhet prej 31 milionë e 710 mijë e 72 euro.
Universiteti i Prizrenit për vitin 2024 ka buxhet në vlerë prej 2 milionë e 966 mijë e 621 euro.
Universiteti i Pejës për vitin 2024 do të ketë buxhet që kap vlerën prej 4 milionë e 470 mijë e 652 euro.
2 milionë e 34 mijë e 656 euro do të jetë buxhetit i Universitetit të Gjilanit për vitin 2024.
Buxheti i Universitetit të Gjakovës për vitin 2024 do jetë 3 milionë e 309 mijë e 59 euro.
Universiteti i Mitrovicës për vitin 2024 do të ketë buxhet në vlerë prej 3 milionë e 567 mijë e 551 euro.
Buxheti i Universitetit të Ferizajt për vitin 2024 do të jetë 2 milionë e 113 mijë e 535 euro.
Akademia e Kosovës për Siguri ka buxhet prej 3 milionë e 383 mijë e 633 euro.
Kurse Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit në Mitrovicë ka buxhet prej 1 milion e 980 mijë e 224 euro.